Mumiet e ‘alienëve’ prezantohen në Kongresin meksikan
Bardhyl Bajrami /Radio Kosova
Në Kongresin e Meksikës, një ekspert i vetëshpallur i fenomeneve jashtëtokësore ka prezantuar dy trupa që pretendon se janë të jashtëtokësorëve.
Kongresi i Meksikës më 12 shtator ka mbajtur një séance dëgjimore, ku është diskutuar rreth Objekteve Fluturuese të Paidentifikuara apo siç njihen ndryshe UFO. Gjatë kësaj séance, të mbajtur për herë të parë rreth kësaj teme, i vetëshpalluri ekspert I fenomeneve jashtëtokësore, Jaime Maussan, ka prezantuar ato që pretendon se janë mbetjet e jashtëtokësorëve apo alienëve, të zbuluara në Peru.
Maussan, nën betim ka dëshmuar se trupat nuk janë nga toka. Sipas dëshmisë së tij, Universiteti Kombëtar Autonom i Meksikës ka kryer një analizë mbi ekzemplarët dhe ka identifikuar një ADN të papërcaktuar, dhe se ekzaminimet radiologjike gjoja kanë zbuluar prani të vezëve brenda trupave.
Megjithatë, raportet e mediave kanë cituar një studiues të atij universiteti, i cili ka thënë se pretendimet e Maussanit për analizën e fakultetit janë të rreme. Edhe studime të tjera kanë treguar se mumiet e gjetura nuk janë të vërteta.
Dy trupat e mumifikuara janë zbuluar në Peru në vitin 2017. Kanë kokë të zgjatur dhe vetëm nga tre gishtërinj të duarve dhe të shputave. Ekspertët kanë thënë se ato janë të vjetra mes 700-1800 vjet.























