Francë, përgatitet plan për ndalimin e cigareve elektronike
Përgatiti: Bardhyl Bajrami/RTK
Franca, por edhe disa shtete evropiane kanë një plan për ndalimin e përdorimit të atyre që po njihen si cigare elektronike. Aktivistët kundër këtyre cigareve po i akuzojnë prodhuesit se qëllimisht po i vënë në shënjestër të rinjtë duke i përdorur ngjyrat tërheqëse dhe një sere shijesh po ashtu tërheqëse për adoleshentët.
Franca ka përgatitur një plan për parandalimin e përdorimit të atyre që njihen si cigare elektronike njëpërdorimëshe. Shkak për një veprim të tillë është rreziku për ambientin dhe shëndetin publik.
Kryeministrja e Francës, Elisabeth Borne, gjatë një interviste në radion RTL ka thënë se kjo masë është pjesë e një plani të ri anti-duhan, i përgatitur nga qeveria.
Një cigare e tillë, në Francë kushton rreth 9€, pak më lirë se një pako e cigareve të zakonshme me 20 copa, ndërsa ofron rreth 600 tymosje, afërsisht sa 40 cigare.
Akademia Kombëtare për Mjekësi e Francës, këto cigare elektronike I ka përshkruar si një kurth dinak, veçanërisht për fëmijët dhe adoleshentët.
Sipas kryeministres, këto cigare krijojnë shprehi, me të cilën fëmijët mësohen dhe më pas përfundojnë në pirjen e cigareve të zakonshme.
Aktivistët kundër këtyre cigareve po I akuzojnë prodhuesit, shumë prej të cilëve janë nga Kina, se qëllimisht po i vënë në shënjestër adoleshentët, duke i përdorur ngjyrat tërheqëse dhe një sërë shijesh të ndryshme si çokollatë, lajthi, shalqi etj.
Sipas Shoqatës Aleanca Kundër Duhanit, 13% të adoleshentëve mes 13 dhe 16 vjeç e kanë provuar një cigare të tillë elektronike, së paku një herë. Shumica nga ta kanë thënë se e kanë provuar rreth moshës 11 apo 12 vjeçe.
Edhe vende të tjera evropiane si Gjermania, Belgjika dhe Irlanda kanë paralajmëruar masa të tilla.























