Libi, numri i viktimave tashmë ka kaluar 11 mijë
Gjylie Rexha / Radio Kosova
Autoritetet në Derna bllokuan qasjen e civilëve në qytetin e shkatërruar lindor. Në Derna mund të hyjnë vetëm ekipet e kërkimit për viktimat e ngjarjes që ekspertë libianë e krahasojnë me bombat atomike.
“Për nga fuqia do të ishte më e madhe se sa ajo e bombës që ka goditur Nagasakin, prandaj duket si sulm meteori apo bombë atomike”, thotë drejtori i institutit Sadek, Anas al Gomati.
Vlerësohet se numri i viktimave ka kaluar 11 mijë, mirëpo për dhjetë mijë të tjerë nuk dihet asgjë dhe droja se shumë prej tyre mund të mos kenë mbijetuar është e madhe.
Organizata botërore Metereologjike e OKB-së tha se shumica e rasteve të vdekjeve ka mundur të shmangej, sikur të ishin lëshuar sistemet e paralajmërimit. Studime të viteve të kaluara, kishin nënvizuar rreziqet nga përmbytjet dhe kishin konstatuar se pendat kanë nevojë për mirëmbajtje periodike.
Ndërkohë, ekspertët e klimës i shohin përmbytjet, në ndërlidhjen midis keqmenaxhimit dhe ndryshimeve klimatike.
“Katastrofa e shembjes së pendave ndodhi si pasojë e keqmenaxhimit afatgjatë, por nuk do të ndodhte pa rënien ekstreme të shiut që vjen nga ngjarjet e ngrohjes globale”, tha për AP, shefi i analizave klimatike, Bill Her.
Në disa zona bregdetare të Libisë, kanë rënë mbi 400 milimetra shi, brenda 24 orëve. Zakonisht atje bien vetëm 1.5 milimetra gjatë tërë muajit shtator.























