Grupi mercenar Wagner shpallet organizatë terroriste
Bardhyl Bajrami /RTK
Britania e Madhe e ka shpallur grupin mercenar Wagner organizatë terroriste. Ata që në çfarëdo mënyre e ndihmojnë këtë grup, dënohen me gjobë dhe me burg deri në 14 vjet.
Britania e Madhe edhe zyrtarisht e ka shpallur grupin paramilitar rus Wagner si organizatë terroriste, e këtë e bëri disa javë pas vdekjes së liderit të këtij grupi Yevgeny Prigozhin. Nga tani, është e paligjshme të jesh anëtar i këtij grupi ose edhe ta përkrahësh atë.
Personat të cilët shpallen fajtorë se i ndihmojnë këtij grupi paramilitar mund të dënohen deri në 14 vjet burg.
Sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman, kur e bëri propozimin për shpalljen e këtij grupi si organizatë terroriste, grupin Wagner e quajti kërcënim për sigurinë globale.
Grupi paramilitar Wagner tani do t'i shtohet listës prej 78 organizatave të shpallura si terroriste në Britani të Madhe, ku janë të përfshira edhe grupi Hamas dhe ai Boko Haram.
Grupi paramilitar Wagner, i krijuar në vitin 2014 nga Yevgeny Prigozhin, shumë shpejt u bë vegël e pushtetit nën udhëheqjen e presidentit Vladimir Putin.
Ky grup paramilitar ka ndihmuar në mbështetjen e aleatëve të presidentit Putin në vendet si Siria, Libia, Mali dhe Republika e Afrikës Qendrore.























