Libi, ekipet emergjente në luftë për t’u ndihmuar të mbijetuarve
Përgatiti:Flutura Bekqeli/RTK
Ekipet emergjente po luftojnë për t`u ndihmuar të mbijetuarve dhe për t`i gjetur të vdekurit pesë ditë pas përmbytjeve shkatërruese që goditën Libinë lindore.
Mijëra njerëz humbën jetën kur dy diga shpërthyen pas reshjeve intensive nga stuhia Daniel, duke shkatërruar lagje të tëra në qytetin e Dernas në Libi. Shifrat për numrin e të vdekurve variojnë nga rreth 6,000 deri në 11,000 - me mijëra të listuar ende si të zhdukur, derisa kryebashkiaku i qytetit port thotë se totali mund të arrijë në 20,000
Të mbijetuarit i kanë thënë për media se ka familje që kanë humbur jetën të gjithë si dhe kanë përshkruar arratisjet e tmerrshme dhe njerëzit që janë rrëmbyer para syve të tyre.
Shumica e vdekjeve mund të ishin shmangur nëse do të jepeshin paralajmërime, ka thënë Organizata Botërore Meteorologjike e OKB-së
Rreth 30,000 njerëz kanë mbetur të pastrehë, thotë Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, me agjencinë humanitare të OKB-së duke paralajmëruar për rrezikun e sëmundjeve nga uji i kontaminuar.
Ndërsa bota përpiqet të kuptojë arsyet e përmbytjeve katastrofike në Libi, ka shqetësime në rritje se gjendja e digave luajti një rol.
Një inxhinier i planifikimit urban, i cili ka punuar në Libi për më shumë se katër dekada, i tha BBC-së se "digat nuk duhet të ishin shembur", duke shtuar se "duhet të kishte një mekanizëm për të lehtësuar ujin" nga reshjet ekstreme. Dy digat që u shembën dërguan sasi masive uji që vraponin drejt qytetit të Derna, duke fshirë zona të mëdha toke - dhe njerëz.
Autoritetet në Derna nuk kanë komentuar këto pretendime, por ne do të vazhdojmë t'ju sjellim këtu të fundit. Ekipet e shpëtimit t po përballen me sfida të mëdha logjistike në Derna pasi ato operojnë pa infrastrukturë bazë.
Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit thotë se vetëm një pikë hyrëse në Derna është e aksesueshme sepse të tjerat janë dëmtuar shumë nga përmbytjet.
Me të mbërritur në qytet, ekipet po punojnë pa energji elektrike, ujë e karburant dhe me pritje telefonike jo të besueshme.























