India ka mohuar se është e përfshirë në vrasjen e një lideri Sikh në Kanada
D. Ramabaja /RTK
India ka hedhur poshtë akuzat e kryeministrit kanadez Justin Trudeau se kishte ndonjë rol në vdekjen e një udhëheqësi kanadez sikh. Hardeep Singh Nijjar u qëllua për vdekje jashtë një tempulli Sikh më 18 qershor në Kolumbinë Britanike.
Kryeministri Trudeau deklaroi në parlament se inteligjenca kanadeze kishte identifikuar një lidhje "të besueshme" mes vrasjes së tij dhe shtetit indian.
Trudeau deklaroi në parlament të hënën se ai kishte ngritur çështjen e vrasjes së zotit Najjar me kryeministrin indian Narendra Modi, në samitin e fundit të G20 në Delhi.
"Çdo përfshirje e një qeverie të huaj në vrasjen e një qytetari kanadez në tokën kanadeze është një shkelje e papranueshme e sovranitetit tonë, Është në kundërshtim me rregullat themelore me të cilat sillen shoqëritë e lira, të hapura dhe demokratike."
Por ministria e Jashtme e Indisë i përshkroi pretendimet si "absurde" dhe të motivuara politikisht. "Ne jemi një vend demokratik me një angazhim të fortë për sundimin e ligjit", ka reaguar ministria e jashtme indiane në një deklaratë, duke shtuar se Kanadaja kishte siguruar prej kohësh strehim për "terroristët dhe ekstremistët Khalistani" që kërcënojnë sigurinë e Indisë.
Incidenti është përshkallëzimi i fundit në një marrëdhënie tashmë të tensionuar mes dy vendeve.
Të hënën, Ministrja e Jashtme kanadeze Melanie Joly u tha gazetarëve se një diplomat indian, Pavan Kumar Rai, ishte dëbuar për këtë rast. Të martën, Shtëpia e Bardhë njoftoi se ishte "thellësisht e shqetësuar" për pretendimet e zotit Trudeau.























