Polonia ndërpret furnizimin me armatim Ukrainën
Bardhyl Bajrami /RTK
Lufta në Ukrainë duket se ka nxitur edhe mosmarrëveshjet e para brenda Bashkimit Evropian. Polonia ka thënë se do ta ndërpresë furnizimin e Ukrainës me armë, ndërsa Hungaria, Sllovakia dhe Polonia nuk po e zbatojnë vendimin e BE-së për përfundimin e ndalimit të importit të drithërave në disa vende.
Komisioni Evropian ka deklaruar vazhdimisht se nuk u takon vendeve anëtare t’i bëjnë politikat tregtare për bllokun.
Polonia nuk do ta furnizojë më Ukrainën me armë, pasi do të përqendrohet në armatosjen e vetë vendit, ka thënë kryeministri Mateusz Morawiecki. Kryeministri polak këtë e ka thënë në kohën kur po vazhdojnë mosmarrëveshjet rreth drithërave.
Të martën, Polonia ka ftuar për konsultime ambasadorin ukrainas në vend për të diskutuar rreth komenteve që presidenti ukrainas Zelensky i ka bërë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Zelensky ka thënë se disa shtete janë shtirur për solidarizim me Ukrainën, gjë që ka bërë Poloninë të reagojë.
Mosmarrëveshjet për drithërat kanë nisur, pasi Rusia nisi luftën për pushtimin e Ukrainës kur bllokoi transportin detar për drithërat e Ukrainës, që e detyroi atë të gjejë rrugë tjera alternative.
Kjo bëri që sasi të mëdha të grurit të përfundojnë në Evropën Qendrore e, si pasojë, Bashkimi Evropian përkohësisht e ndërpreu importin e tyre në pesë vende: Bullgari, Hungari, Poloni, Rumani dhe Sllovaki me qëllim të mbrojtjes së fermerëve lokalë, të cilët shfaqën frikën për uljen e çmimit të drithërave në vendet e tyre për shkak të drithërave të Ukrainës.
Ndalesa përfundoi më 15 shtator, por që BE nuk e ripërtëriu atë, por Hungaria, Sllovakia dhe Polonia vendosën të vazhdojnë ta zbatojnë atë. Ndërsa Komisioni Evropian ka deklaruar vazhdimisht se nuk u takon vendeve anëtare t’i bëjnë politikat tregtare për bllokun.
E nga terreni në Ukrainë mësohet se Rusia ka ndërmarrë sulme ajrore në Kiev, ku janë aktivizuar sirenat e alarmit. Në mesin e 7 personave të lënduar në Kiev thuhet të jetë edhe një 9 vjeç.
Kryebashkiaku ka thënë se, pavarësisht asaj që mbrojtja kundër ajrore ia ka dalë t’i zmbrapsë sulmet, ka pasur disa dëmtime të ndërtesave. Sulme të rusëve janë raportuar edhe në Kharkiv, ku në shënjestër ka qenë qarku Slobidskyi, ndërsa janë lënduar 2 persona.
Sulme ajrore janë ndërmarrë edhe në Kherson, ku është raportuar për të paktën 2 viktima dhe 5 të plagosur.
Forcat ajrore të Ukrainës kanë thënë se kërcënimet raketore mbeten në fuqi ndërsa Ministria e Brendshme ka kërkuar nga ukrainasit t’i zbatojnë rregullat e sigurisë, ku janë riaktivizuar sirenat e alarmit dhe të shkojnë apo të qëndrojnë nëpër strehimore.























