Mosmarrëveshje rreth grurit tensionojnë marrëdhëniet Ukrainë-Poloni
Dardan Ramabaja/RTK
Një nga aleatët më të vendosur të Ukrainës, Polonia thotë se nuk po furnizon më armë fqinjin e saj, pas mosmarrëveshjeje diplomatike mbi eksportet e grurit nga Kievi.
Në vend të kësaj, fokusi i Polonisë do të jete mbrojtja e vetes me armë më moderne, ka deklaruar kryeministri Mateusz Morawiecki.
Por, presidenti i vendit më vonë tha se komentet ishin keqinterpretuar në "mënyrën më të keqe të mundshme". Andrzej Duda tha se ishin vetëm armët e reja polake që nuk do të dërgoheshin në Ukrainë.
Polonia i ka dërguar tashmë Ukrainës 320 tanke të epokës sovjetike dhe 14 avionë luftarakë MiG-29.
Megjithatë, komentet përkojnë me tensionet e larta mes dy fqinjëve.
Të martën, Polonia thirri ambasadorin e Ukrainës lidhur me komentet e bëra nga presidenti Volodymyr Zelensky në Kombet e Bashkuara pasi Polonia, Hungaria dhe Sllovakia zgjatën ndalesën e drithit ukrainas.
Kurse Zelensky reagoi duke thënë se ishte alarmante se si disa nga miqtë e Ukrainës në Evropë po luanin solidaritet "në një teatër politik - duke bërë një thriller nga gruri".
Varshava i denoncoi fjalët e tij si "të pajustifikuara në lidhje me Poloninë, e cila ka mbështetur Ukrainën që në ditët e para të luftës". Sidoqoftë të dy vendet kanë kërkuar të ulin mosmarrëveshjet.























