113 persona vdesin në një sallë dasmash në Irak
BKT
Foto/
Rajoni dhe Bota

113 persona vdesin në një sallë dasmash në Irak

Bardhyl Bajrami/ RTK

Të paktën 113 persona kanë vdekur e të paktën 500 janë lënduar si pasojë e një zjarri të përhapur në një sallë dasmash në Irak. Në mesin e viktimave është edhe nusja e dhëndri. Raportohet se zjarri është shkaktuar nga fishekzjarrët.

Më shumë se 100 persona, mysafirë në një dasmë, kanë vdekur nga një zjarr që ka shpërthyer në Al-Hamdaniya në provincën Nineveh në Irak, ndërsa rreth 500 të tjerë kanë mbetur të lënduar. Ata kanë vdekur si pasojë e të djegurave dhe ngufatjes, për shkak të mungesës së oksigjenit. Lajmin e ka konfirmuar ministri irakian i Shëndetësisë, Saif Al-Badr.

Nuk është ende e qartë se çka e shkaktoi zjarrin, por sipas raporteve të para, ai ka ardhur si pasojë e ndezjes së fishekzjarrëve. Në mesin e viktimave mësohet se janë edhe dhëndri dhe nusja.

Të paktën 50 nga të lënduarit janë në gjendje kritike. Në spitalin lokal janë mbledhur edhe shumë njerëz të cilët po dhurojnë gjak për të lënduarit.

Sipas zyrtarëve, panelet ndezëse në sallën mund të kenë ndikuar në përhapjen e shpejtë të flakëve. Masroru Barzani, kryeministër i Irakut, ka urdhëruar nisjen e hetimeve dhe ofrimin e ndihmës për të prekurit. Në bazë të dëshmitarëve, në sallë kanë qenë më shumë se njëmijë persona.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota