Pakistan, shpërthim bombe në një tubim festiv, vriten mbi 52 persona
BKT
Rajoni dhe Bota

Pakistan, shpërthim bombe në një tubim festiv, vriten mbi 52 persona

Përgatiti: M.Miftari/RTKlive

Më shumë se 52 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në një sulm vetëvrasës me bombë, në Pakistan.

Një bombë e fuqishme shpërtheu pranë një xhamie në Pakistanin Jugperëndimor, të premten, ku qindra njerëz ishin mbledhur për të festuar përvjetorin e lindjes së profetit Muhamed.

Myslimanët mbajnë tubime dhe shpërndajnë ushqim falas për njerëzit me këtë rast, i cili njihet si Mevlid en-Nabi.

“Të plagosurit nga shpërthimi u dërguan në spitalet aty pranë dhe disa ishin në gjendje kritike”, tha administratori i qeverisë, Atta Ullah, për AP, transmeton RTKlive.

Abdul Rasheed, zyrtari shëndetësor i Qarkut në Mastung, tha se 30 trupa u dërguan në një spital dhe 22 të tjerë u numëruan në një spital tjetër.

Oficerët po hetojnë për të përcaktuar nëse akti i shpërthimit ishte një sulm vetëvrasës.

Shpërthimi i së premtes erdhi disa ditë pasi autoritetet i kërkuan policisë të qëndronte në gatishmëri maksimale, duke thënë se militantët mund të synonin mitingjet që shënonin ditëlindjen e profetit Muhamed.

Presidenti i Pakistanit, Arif Alvi, dënoi sulmin dhe u kërkoi autoriteteve të ofrojnë të gjithë ndihmën e mundshme për të plagosurit dhe familjet e viktimave.

Qeveria kishte shpallur një festë kombëtare për përvjetorin e lindjes së profetit Muhamed dhe presidenti Alvi dhe kryeministri në detyrë, Anwaarul-haq-Kakar, në mesazhe të veçanta kishin bërë thirrje për unitet dhe që njerëzit t'u përmbaheshin mësimeve të profetit të Islamit.

Bëhet e ditur se askush nuk e mori përgjegjësinë për shpërthimin e së premtes.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota