Sky Shield: Mbrojtje ajrore për Evropën
DW
Sky Shield, sistemi i mbrojtjes ajrore i propozuar nga Gjermania mendohet të forcojë mburojën e NATO-s për Evropën. Çfarë duhet ditur për këtë nismë, që filloi si reagim ndaj sulmit të Rusisë kundër Ukrainës?
Sulmi i Rusisë kundër Ukrainës ka kthyer luftën në Evropë, dhe ka hedhur dritë mbi aftësitë mbrojtëse të NATO-s dhe Evropës. Tani është duke u bërë armatosja, janë duke u përgatitur strategji të reja mbrojtjeje. Këtu bën pjesë mbrojtja nga sulmet e mundshme të raketave ruse, nëse lufta në Ukrainë përshkallëzohet dhe arrin tek një konfrontim me Moskën.
Pjesëmarrëse 19 vende europiane
Por mburoja mbrojtëse e NATO-s për Evropën ka të çara që pritet të mbyllen nga sistemi i mbrojtjes ajrore, European Sky Shield Initiative, ESSI, propozuar nga Gjermania më tetor 2022. 15 vende nënshkruan në atë kohë një deklaratë të përbashkët në kuadër të takimit të NATO-s në Bruksel, për të krijuar një mbrojtje evropiane nga ajri. Krah Gjermanisë, nënshkruan Belgjika, Bullgaria, Estonia, Finlanda, Britania e Madhe, Letonia, Lituania, Holanda, Norvegjia, Rumania, si dhe Sllovakia, Sllovenia, Çekia dhe Hungaria. Më vonë nismës iu bashkuan edhe Danimarka, Suedia, Austria dhe Zvicra.
Kancelari gjerman Olaf Scholz (SPD) foli për "fitore të sigurisë për gjithë Evropën dhe argumentoi se mbrojtja ajrore evropiane është me kosto më të ulët dhe me aftësi më të mëdha, se sa çdo shtet të ngrejë mbrojtjen vet, që kushton shumë dhe është komplekse. Franca, Italia dhe Polonia nuk marrin pjesë në këtë nismë. Parisi kritikoi duke thënë se ky nuk është një projekt i pastër evropian, sepse pritet të blihet teknologji nga Izraeli dhe SHBA.
Synimi i Sky Shield është të krijojë sisteme mbrojtëse sa më të koordinuara, me rreze të shkurtër, të mesme dhe të gjatë për të shmangur çdo lloj rreziku që mund të vijë nga ajri. Ministria gjermane e Mbrojtjes, përcakton në faqen e saj të internetit, si rreze të shkurtër një distancë prej 15 kilometrash dhe një lartësi maksimale prej 6 kilometrash. Rrezja e mesme, sipas saj, është 15 deri 50 kilometra larg dhe deri 25 kilometra lartësi; rrezja e madhe është më shumë se 50 kilometra larg dhe deri 35 kilometra lartësi.
IRIS-T për mbrojtje nga sulmet me dronë
"Në të tre nga këto fusha ekzistojnë të çara, që mendohet të mbyllen nga ESSI, përkatësisht mundësitë ekzistojnë tashmë, por ato duhen forcuar ose shtuar,” shkruan ministria gjermane e Mbrojtjes.
Për rrezet e shkurtra deri të mesme sistemet ekzistuese të mbrojtjes duhen zëvendësuar nga sistemet moderne të IRIS-T. Ky sistem i prodhuar në Gjermani, mund të sigurojë mbrojtjen nga raketat, raketat drejtuese, dronët, avionët dhe helikopterët në një largësi deri 40 kilometra dhe lartësi deri 20 kilometra.
Në qershor të 2023, Komisioni i buxhetit të Parlamentit gjerman, Bundestag dha dritën jeshile për krijimin e gjashtë njësive të tilla. Deri tani IRIS-T nuk është vënë në përdorim nga ushtria gjermane. Por forcat ajrore gjermane janë të ushtruara me këtë sistem, sepse kanë bërë trajnimin e ushtarëve ukrainas. Gjermania i ka dhënë deri tani dy njësi të tilla Ukrainës.
Për mbrojtjen ajrore më të shtrirë, ushtria gjermane, Bundeswehr, ka në dispozicion sistemin Patriot të armëve (Phased Array Tracking Radar to Intercept on Target), i cili është ende efektiv por duhet modernizuar. Ky sistem amerikan që bën nga toka mbrojtjen ajrore kundër raketave, përdoret kundër avionëve, raketave të drejtuara dhe raketave me rreze të mesme veprimi. Mbas vitit 1984, Patriot është vënë në përdorim nga shumë forca të armatosura, përfshirë edhe Bundeswehrin gjerman.
Përmirësime duhen bërë sidomos në mbrojtjen kundër raketave të drejtuara. Për shkak të nivelit të ulët të fluturimit të tyre dhe kapjes me vonesë të shkaktuar nga niveli i ulët i fluturimit, mbrojtja kundër tyre mund bëhet kryesisht me sistemet moderne të mbrojtjes si Patriot ose IRIS-T. Një mbrojtje gjithëpërfshirëse e sipërfaqes është, sipas të dhënave të Bundeswehrit, "shumë e kushtueshme dhe e mundshme vetëm me përdorimin e shumë sistemeve dhe bën të qartë domosdoshmërinë e një bashkëpunimi ndërkombëtar.”























