Moska zyrtare dënon gazetaren Marina Ovsyannikova
Luan Qorraj /RTK
Gjykata e Moskës ka dënuar, në mungesë, gazetaren Marina Ovsyannikova, e cila vitin e kaluar kundërshtoi pushtimin rus në Ukrainë. Dënimi nxiti kritika të reja ndërkombëtare të autoriteteve në Kremlin.
Gjykata e lartë e Moskës ka dënuar me 8.5 vjet burgim gazetaren Marina Ovsyannikova, e cila, në një transmetim të drejtpërdrejtë , vitin e kaluar, kundërshtoi invazionin rus të Ukrainës. Gjykata, gjithashtu, i ndaloi asaj të merret me aktivitete që kanë të bëjnë me mediet elektronike, përfshirë edhe ato në internet, për katër vjet.
Edhe pse Ovsyannikova nuk gjendet në Rusi, ajo arriti të ikë nga arresti shtëpiak, së bashku me vajzën e saj, pak pas protestës dhe nuk dihet se ku gjendet momentalisht. Kremlini ka vendosur të vazhdojë me procesin kundër saj. Deri me tani dhjetëra gazetarë dhe aktivistë janë dënuar për shkak të kritikave të invazionit në Ukrainë, përderisa qindra të tjerë janë shpallur në kërkim.
Sipas Moskës, Ovsyannikova është fajtore për "përhapjen e informatave të rrejshme rreth forcave ruse" - akuza të cilat ajo i quan "qesharake" dhe të motivuara politikisht.























