Roma fiton thellë nga Servette
Uran Krasniqi / RTKLive
Katër gola të shënuar dhe një portë e paprekur nga kundërshtari. Kështu mund të përshkruhet nata e të enjtes për skuadrën e Romës në Europa League.
Skuadra e drejtuar nga portugezi i njohur Jose Mourinho ka triumfuar 4-0 kundër skuadrës zvicerane, Servette.
Mysafirët e kanë nisur ndeshjen më mirë, por nuk kanë qenë në gjendje që të konkretizojnë.
Zgjimi i Romës ka ardhur pas njëzet minutash.
Ka qenë belgu Lukaku (21') ai i cili e ka gjetur rrjetën për romakët, që deri në atë moment nuk po e gjenin lojën e tyre.
Pjesa e parë është mbyllur me avantazh minimal.
Ka qenë pjesa e dytë ajo kur Roma ka shkëlqyer më shumë.
Belotti (46', 59'), Pellegrini (52') kanë realizuar edhe plot tri herë, duke vulosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes përballë zviceranëve që nuk e kanë gjetur golin e nderit.
Pas kësaj ndeshje Grupi G bashkëkryesohet nga Slavia e Pragës dhe nga Roma, ku skuadra çeke e bën dallimin ne golaverazh më të mirë.























