Të paktën 100 të vrarë nga sulmi me dron në një akademi ushtarake
BKT
Rajoni dhe Bota

Të paktën 100 të vrarë nga sulmi me dron në një akademi ushtarake

Flutura Bekqeli / RTK

Një sulm me dron në një akademi ushtarake siriane në qytetin e Homsit ka vrarë të paktën 100 persona dhe ka lënë dhjetëra të plagosur.

Dronët e ngarkuar me eksploziv synuan një ceremoni diplomimi ku morën pjesë familjet e kadetëve dhe në mesin e të vdekurve ishin gra dhe fëmijë. Ushtria fajësoi "grupet terroriste të mbështetura nga forcat e njohura ndërkombëtare".

Nuk kishte asnjë pretendim të menjëhershëm nga rebelët dhe xhihadistët që po luftojnë kundër qeverisë në luftën civile të vendit.

Sulmi me dron besohet të jetë nisur nga zonat e kontrolluara nga opozita në veri-perëndim të Homsit.

Agjencia shtetërore e lajmeve siriane, Sana, citoi një deklaratë nga Komanda e Përgjithshme e Forcave të Armatosura të thoshte se disa dronë që mbanin eksplozivë shënjestruan akademinë ushtarake të Homsit menjëherë pas përfundimit të ceremonisë së diplomimit pasdite.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi se ministri i mbrojtjes i Sirisë mori pjesë në ceremoninë e diplomimit, por u largua disa minuta para sulmit.

Më shumë se gjysmë milioni njerëz janë vrarë nga lufta civile që shpërtheu pasi presidenti Bashar al-Assad shtypi dhunshëm demonstratat paqësore pro-demokratike në vitin 2011.

Rreth 6.8 milionë njerëz janë të zhvendosur brenda vendit, ndërsa 6 milionë të tjerë janë refugjatë ose azilkërkues jashtë vendit.

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Geir Pedersen, e përshkroi sulmin ndaj akademisë si "të tmerrshëm" dhe u bëri thirrje të gjitha palëve në konflikt që "të ushtrojnë përmbajtjen maksimale".

Në një zhvillim të veçantë në Siri të enjten, të paktën 10 persona thuhet se u vranë në sulmet me dron turq në një rajon të kontrolluar nga kurdët në veri-lindje të Sirisë, që u nxitën nga një sulm me bombë në Ankara, për të cilin u morën përsipër militantët kurdë.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota