Shkon në 40 numri i të vdekurve pas sulmit të Hamasit në Izrael
BKT
Rajoni dhe Bota

Shkon në 40 numri i të vdekurve pas sulmit të Hamasit në Izrael

Flutura Bekqeli / RTK

(E plotësuar, 14:25) Numri i të vdekurve në Izrael pas sulmit masiv të Hamasit që nisi mëngjesin e së shtunës ka shkuar në 40, raportojnë mediat botërore.

Sipas të njëjtave burime numri i të lënduarve ka arritur në mbi 700.

Konflikti mes izraelitëve dhe palestinezëve zgjat prej dekadash, por kjo është e hera e parë që militanët e Hamasit  janë infiltruar në jug të Izraelit nga Rripi i Gazës. 

Netanyahu: Ne jemi në luftë, do ta fitojmë atë

“Ne jemi në luftë", ka thënë kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, pas një sulmi të papritur palestinez që pa qindra raketa që goditën Izraelin nga Gaza.

”Qytetarë të Izraelit, ne jemi në luftë, jo në një operacion, jo në një përshkallëzim, në një luftë. Këtë mëngjes Hamasi filloi një sulm të papritur vrastar kundër shtetit të Izraelit dhe qytetarëve të tij. Ne kemi qenë në të që në mëngjes herët. Armiku do të paguajë një çmim që nuk e ka njohur kurrë. Ndërkohë, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Izraelit që t'u binden me përpikëri udhëzimeve të ushtrisë dhe udhëzimeve të Komandës së Brendshme. Ne jemi në një luftë dhe do ta fitojmë atë”, ka thënë Netanyahu.

Ushtria izraelite ka thënë se ka shpallur gjendjen e "gatishmërisë për luftë" dhe ka thirrur rezervistët në përgjigje të sulmit. Më herët, dhjetëra raketa u lëshuan drejt Izraelit, duke ndezur sirenat e sulmit ajror në të gjithë vendin. Izraeli ka nisur gjithashtu sulme ndaj objektivave në Gaza. Qindra njerëz po trajtohen në spitalet izraelite, me të paktën 22 izraelitë të vdekur, sipas shërbimeve të urgjencës. Grupi militant palestinez Hamas ka marrë përgjegjësinë për sulmin, me krahun e tij të armatosur duke thënë se ka lëshuar 5000 raketa në 20 minuta. Njëri nga komandantët e Hamas, Mohammed Deif ka thënë se grupi militant palestinez kishte "vendosur të thoshte mjaft është mjaft".

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se grupi "kishte filluar një gjuajtje masive të raketave nga Rripi i Gazës në territorin izraelit" dhe se militantët kishin hyrë në territorin izraelit në "lokacione të ndryshme". Ai shtoi se banorëve në zonën përreth Rripit të Gazës u është kërkuar të qëndrojnë brenda, ndërsa civilëve në zonat jugore dhe qendrore "u kërkohet të qëndrojnë pranë strehimoreve". Britania e Madhe, Gjermania dhe Italia kanë dënuar sulmet ndaj Izraelit. Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se Berlini "dënon me vendosmëri sulmet terroriste nga Gaza kundër Izraelit". Baerbock tha se Hamasi "kontribuon në intensifikimin e dhunës", duke shtuar se "dhuna dhe raketat që synojnë njerëzit e pafajshëm duhet të ndalojnë menjëherë". Derisa kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak ka thënë se Izraeli ka të drejtë të mbrohet. "Jam i tronditur nga sulmet e mëngjesit të sotëm nga terroristët e Hamasit kundër qytetarëve izraelitë. Izraeli ka të drejtë absolute për të mbrojtur veten”, ka thënë Sunak.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota