Blinken kërkon nga Palestina të rivendosë stabilitetin në Bregun Perëndimor
RTSH
Sekretari amerikan i shtetit i ka kërkuar Autoritetit Palestinez të rivendosë qetësinë dhe stabilitetin në Bregun Perëndimor në një telefonatë me presidentin e tij.
Antony Blinken “përsëriti dënimin pa mëdyshje të Shteteve të Bashkuara të sulmeve terroriste të Hamasit kundër Izraelit dhe i bëri thirrje të gjithë lidershipit në rajon t’i dënojë ato”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
“Sekretari i kërkoi Autoritetit Palestinez të vazhdojë dhe të rrisë hapat për të rivendosur qetësinë dhe stabilitetin në Bregun Perëndimor”, shtoi ai.
SHBA ka thënë se do të mbështesë Izraelin dhe do të sigurohet që ai të vazhdojë të mbrohet.
Lëvizja islamike palestineze "Hamas" kreu të shtunën (7 tetor) sulmin e saj më të madh ndaj Izraelit ndër vite, duke lëshuar një breshëri raketash nga Gaza dhe duke dërguar luftëtarë përtej kufirit.























