Vazhdon dhuna në Lindjen e Mesme - Hezbollahu sulmon caqe në Izrael
BKT
Getty Images
Rajoni dhe Bota

Vazhdon dhuna në Lindjen e Mesme - Hezbollahu sulmon caqe në Izrael

Luan Qorraj | RTK

Luftimet mes forcave mbrojtëse të Izraelit dhe militantëve të Hamasit, të cilët hynë mëngjesin e së shtunës në territorin izraelit ende vazhdojnë, përderisa ka raporte edhe se grupi militant libanez Hezbollah, i është bashkuar luftimeve duke sulmuar caqe izraelite.

Një ditë pasi që grupe të militantëve të Hamasit hynë në Izrael, Tel-Avivi zyrtar thotë se Forcat e Sigurisë së vendit ende nuk kanë arritur të rimarrin kontrollin e tërë territorit të vendit. Sipas ushtrisë izraelite, forcat mbrojtëse janë ende duke tentuar të rimarrin kontrollin e tetë pikave që ende kontrollohen prej militantëve të Hamasit - në disa prej të cilave dyshohet se mund të ketë pengje civile.

Njëkohësisht është bërë e ditur se grupi militant libanez, Hezbollah, i cili dje u kërcënua se do të ndërhyjë në luftime në rast që Izraeli nisë ofanzivë tokësore në rripin e Gazës, ka sulmuar disa pika të ushtrisë izraelite që gjinden në afërsi me kufirin e Libanit. Sipas njoftimeve, forcat izraelite iu kundër-përgjigjen sulmeve me goditje artilerike. Ndërkohë, nga Gaza është raportuar për sulme të reja raketore ndaj Izraelit si dhe sulme masive ajrore dhe artilerike të Izraelit kundër caqeve të Hamasit. Autoritetet izraelite gjithashtu u bënë thirrje të gjithë civilëve në Gaza që të largohen nga pjesa më e madhe e qyteteve duke nxitur kështu drojën që një operacion tokësor i forcave Izraelite do të fillojë së shpejti.

Sipas autoriteteve në Izrael, deri më tani, është konfirmuar se 250 izraelitë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë marrë peng nga ana e militantëve të Hamasit, përderisa autoritetet palestineze kanë konfirmuar se 256 persona janë vrarë gjatë sulmeve izraelite në Gaza.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota