Izraeli vendosë bllokadë totale në Rripin e Gazës
Luan Qorraj / RTK
Numri i viktimave të konfirmuara të sulmeve terroriste të Hamasit brenda territorit izraelit po vazhdon të rritët.
Sipas njoftimeve të fundit, janë konfirmuar më shumë se 750 të vrarë, në mesin e të cilëve gjinden edhe dhjetëra qytetarë të huaj nga pjesët e ndryshme të botës. Zyrtarët thonë se druajnë që ky nuk do të jetë numri përfundimtar pasi që qindra persona ende raportohen si të pagjetur.
Njëkohësisht, ushtria izraelite ka hënë se ka nisur bllokadë totale të Rripit të Gazës duke ndaluar hyrjen e të gjitha mallrave, përfshirë edhe ushqimit dhe duke ndërprerë energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm në atë që prej shumë analistëve shihet si përgatitje për hyrje me forca tokësore në rripin e gazës.
Sipas Tel-Avivit forcat mbrojtëse të izraelit më në fund kanë arritur të neutralizojnë të gjithë sulmuesit që ende gjendeshin brenda territorit të vendit duke mbajtur pozita në qytetet në afërsinë e kufirit me Gazën.
Ndërkohë, nga gaza njoftohet për vazhdimësinë e sulmeve ajrore dhe artilerike të izraelit kundër caqeve militante- vetëm gjatë 24 orëve të fundit aviacioni izraelit goditi qindra caqe në rripin e gazës por, në mesin e pikave të bombarduara gjendet kampi i refugjatëve Jabalia ku janë raportuar shumë viktima civile.
Sipas raporteve, deri me tani, në Gaza janë shënuar më shumë se 500 viktima civile.
Udhëheqësit e Hamasit kanë bërë thirrje për vazhdimin e luftës dhe, edhe një herë i thirrën "të gjithë myslimanët" që tu bashkohen në betejë kundër Izraelit. Ata shtuan edhe se luftëtarët e tyre kanë marrë më shumë se 100 pengje izraelite, në mesin e të cilëve janë edhe ushtarë dhe oficerë të lartë.
Gjithashtu ka njoftime edhe për përleshje mes forcave izraelite dhe luftëtarëve të Hezbollahut përgjatë kufirit libanez por, deri me tani, këto përleshje dukët të kenë karakter të kufizuar.























