Kosova zhvillon stërvitjen e parë para dy ndeshjeve të tetorit
Uran Krasniqi/RTKLive
Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar të hënën stërvitjen e parë për dy ndeshjet e tetorit që përkasin tek fushata kualifikuese për Euro 2024.
Sipas kalendarit të Kosovës, ndeshja e parë është kundër Andorrës, që zhvillohet më 12 tetor dhe e dyta kundër Izraelit, e paraparë të luhet më 15 tetor, por sipas të gjitha gjasave kjo ndeshje do të shtyhet për shkak të situatës së krijuar në Izrael, pas sulmit të grupit militant palestinez, Hamas.
Federata e Futbollit e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se një pjesë e futbollistëve dardanë kanë stërvitur pasdite në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, derisa disa prej lojtarëve që kanë arritur më vonë kanë bërë stërvitje në palestër në hotel.
"Për ndeshjen me Andorrën, përzgjedhësi Primozh Gliha do të ketë mungesa të shumta, ngase përveç Vedat Muriqit të pezulluar, do të mungojnë edhe Ismajl Beka, Leart Paqarada dhe Shkëlqim Vladi, të cilët pësuan lëndime në ndeshjet e fundjavës me klubet e tyre, derisa në dyshim mbetet Edon Zhegrova, i cili është në pritje të rezultateve nga ekzaminimet e fundit mjekësore", ka njoftuar FFK.
Në Grupin që kryesohet nga Zvicra, Kosova gjendet në pozitën e pestë, ku në gjashtë ndeshje ka barazuar katër herë dhe ka humbur dy herë, si dhe nuk ka fituar asnjëherë.























