Rrahmani e Zyba e shohin Andorrën kundërshtar të vështirë po të mposhtshëm
Uran Krasniqi/RTKLive
Albion Rrahmani dhe Qendrim Zyba e kanë vlerësuar Andorrën kundërshtar të vështirë, por sipas tyre Kosova ka mundësi të marrë rezultat pozitiv.
Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar sot seancën e dytë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kundër Andorrës, e cila zhvillohet, të enjten, në orën 20:45, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024.
“Gjendja e ekipit është jashtëzakonisht e mirë. Shpresoj se të gjithë bashkëlojtarët të jenë në fizikun 100 përqind. Na pret një ndeshje e vështirë, por besoj që me kualitetin që kemi do të marrim rezultatin pozitiv dhe pse jo tre pikë. Është ndjenjë e veçantë ta kesh barrën kryesore te kombëtarja, të cilën e kam ëndrruar me vite që të jem pjesë e saj. Jam shumë krenar që tashmë do të kem hapësirë që ta ndihmojë kombëtaren. Besoj që në këtë ndeshje të shënoj dhe ta ndihmoj ekipin. Shpresoj që gjithçka të shkoj mirë", ka thënë ai. "Unë do ta lë shpirtin në fushë për këtë fanellë, sepse është nder dhe krenari ta kesh në trup”.
Në linjë të njëjtë ka komentuar edhe futbollisti i Ballkanit, Qendrim Zyba, i cili është ftuar për herë të parë në kombëtare.
“Më të vërtetë është një prej ëndrrave që kam pasur që nga fëmijëria dhe më është realizuar. Çdo moment që i duhemi shtetit tonë jemi në gjendje për të dhënë më të mirën tonë. Falë Zotit jam me një formë mjaft të mirë dhe shpresoj që atë që di të bëj më së miri ta ndihmoj ekipin nëse më jepet mundësia. Djemtë janë të shkëlqyeshëm. Ata na kanë pritur shumë mirë neve që jemi më të rinj dhe i falënderoj shumë sepse na kanë afruar shumë shpejt në grup”, ka thënë Zyba. "Andorra? Çdo kundërshtar është i vështirë, por ne do të japim maksimumin dhe do t’i bëjmë detyrat që na cakton trajneri. Patjetër duhet të shkojmë për fitore".
Në Grupin që kryesohet nga Zvicra, Kosova gjendet në pozitën e pestë, ku në gjashtë ndeshje ka barazuar katër herë dhe ka humbur dy herë, si dhe nuk ka fituar asnjëherë.























