Përleshje vdekjeprurëse tronditin Bregun Perëndimor
Ardiana Gashi / RTK
Të paktën pesë palestinezë janë vrarë nga zjarri izraelit në Bregun Perëndimor gjatë mitingjeve në solidaritet me Gazën e goditur nga lufta, tha ministria palestineze e shëndetësisë.
Korrespondentët e AFP-së raportuan përleshje në Ramallah, Nablus, Tulkarm, Hebron dhe rajone tjera , me Gjysmëhënën e Kuqe Palestineze që raportoi dhjetëra të plagosur në Bregun Perëndimor, disa në gjendje kritike.
Në anën tjetër Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se luftëtarët e Hamasit e çuan "të keqen në një nivel tjetër" nga xhihadistët e grupit të Shtetit Islamik (IS), ndërsa ai premtoi mbështetje për Izraelin.
“Në përballjen me ISIS-in u ndjeva sikur po e shikonim të keqen në sy, ishte vërtet e keqe”, u tha Austin gazetarëve pas bisedimeve me homologun e tij izraelit, duke përdorur një akronim tjetër për grupin IS.
Austin është zyrtari i dytë i nivelit të lartë amerikan i dërguar nga Presidenti Joe Biden që vizitoi Izraelin në dy ditë, pas Sekretarit të Shtetit Antony Blinken.
Ndërkohë Izraeli mbështet krijimin e "zonave të sigurta" për civilët në Rripin e Gazës përpara një ofensive të madhe të pritshme, ka thënë një zyrtar i lartë amerikan për medie.
Të dy palët diskutuan "nevojën për të krijuar disa zona të sigurta ku civilët mund të zhvendosen, të jenë të sigurt nga operacionet legjitime të sigurisë së Izraelit", tha zyrtari, një ditë pas bisedimeve në Tel Aviv.
Kryeministri Rishi Sunak tha se Britania ishte në përputhje me pikëpamjen e Shteteve të Bashkuara se Izraeli duhet të marrë masa paraprake për të mbrojtur civilët në Gaza, pasi ushtria izraelite bëri thirrje që më shumë se 1 milion njerëz të zhvendosen.
E Ministri i Jashtëm i Kinës tha të premten se mënyra e duhur për të zgjidhur konfliktin izraelito-palestinez ishte avancimi i "zgjidhjes me dy shtete" dhe rifillimi i bisedimeve të paqes sa më shpejt të jetë e mundur.
Nga Vatikani mësohet se prioritet e kanë vendosur të bëjnë lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe se janë të gatshëm për "çdo ndërmjetësim të nevojshëm", ndërkohë që i dërguari palestinez në Japoni i është lutur Japonisë të ndihmojë dhe të mbajë neutralitetin.
Ai i bëri thirrje Tokios të ofrojë ndihmë humanitare për palestinezët të premten dhe të luajë një rol neutral në konfliktin midis grupit militant Hamas dhe Izraelit.
Në orët e vona sipas mediave është deklaruar edhe Zëvendës shefi i Hezbollahut se grupi i mbështetur nga Irani ishte "gati" për konfrontim kundër Izraelit, pavarësisht se fuqitë e huaja u kërkojnë atyre të qëndrojnë mënjanë.























