Sulmet ruse mbi Ukrainën me intensitet të dobësuar
Ardiana Gashi /RTK
Rusia po mbledhë më shumë njësi në përpjekjet e saj për të marrë qytetin kyç të Ukrainës Lindore, thonë analistët perëndimorë, pas pengesave të dukshme që kanë ngadalësuar sulmin e saj disaditorë, ndërkohë që presidenti rus po viziton Kinën.
Përpjekja për të sulmuar Avdiivka, një qytet i mbrojtur që qëndron në rrugën e ambicies së Moskës për të siguruar kontrollin e të gjithë rajonit të Donetskut, është operacioni më i rëndësishëm sulmues i Moskës në Ukrainë që nga fillimi i vitit, tha të martën Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.
Përpjekja e Kremlinit për të marrë Avdiivkan vjen pas disa muajsh për t'iu kundërvënë kundërsulmit të Ukrainës, të cilën Kievi e nisi rreth 16 muaj pas pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë.
Të dyja palët po përpiqen të kenë përparësi në fushëbetejë përpara dimrit. Ata po përpiqen gjithashtu të sigurojnë furnizime të bollshme të armëve për atë që po shihet se do të jetë si një luftë e zgjatur e shkatërrimit.
Forcat e Kremlinit të dislokuara në Avdiivka ka të ngjarë të bëjnë përparim të ngadalshëm dhe të kenë shkaktojnë viktima në numër të lartë tha ministria e mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar në platformën X.
Ritmi i sulmit të Rusisë ndaj objektivit shumë të fortifikuar thuhet se është ngadalësuar ditët e fundit që nga nisja e tij javën e kaluar, tha një institut me bazë në Uashington.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha të martën se Rusia megjithatë po përpiqet të rrethojë qytetin.
E Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se përpjekja e Rusisë për të kapërcyer Avdiivka "duket gjithnjë e më e pamundur në afat të shkurtër".
Më gjerësisht, forcat ruse lëshuan gjashtë dronë Shahed dhe një raketë lundrimi Kh-59 mbi rajonet jugore të Ukrainës të hënën vonë, thanë autoritetet e Kievit. Forcat Ajrore të Ukrainës pretenduan se i kishin kapur të gjitha objektivat, pa raportuar viktima apo shkatërrime.
Ukraina goditi dy zona për ngritjen, uljen dhe mirëmbajtjen e aeroplanëve, me helikopterë pranë rajoneve Luhansk dhe Berdyansk të kontrolluara nga Rusia, tha Forca Ajrore.
Në anën tjetër, presidenti rus, Vladimir Putin, ka mbërritur në Kinë për një takim të nivelit të lartë me udhëheqësin kinez Xi Jinping, vizita e parë e presidentit rus në Pekin që kur ai urdhëroi pushtimin e Ukrainës vitin e kaluar.
Udhëtimi dyditor vjen pasi Xi pret një nga ngjarjet më të mëdha të kalendarit diplomatik të Kinës këtë vit, Forumin e Tretë “Brezi dhe Rruga për Bashkëpunim Ndërkombëtar”, për të shënuar 10 vjetorin e programit të ndërtimit të infrastrukturës prej 1 trilion dollarësh.























