Në Pekin të Kinës ka nisur punimet forumi i quajtur “Brezi dhe Rruga”
Bardhyl Bajrami / RTK
Në Pekin të Kinës, për herë të tretë po mbahet forumi i quajtur “Brezi dhe Rruga” për Bashkëpunim Ndërkombëtar, ku po merr pjesë edhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Presidenti kinez, Xi jinping dhe ai i Rusisë Vladimir Putin, u janë drejtuar pjesëmarrësve të kësaj iniciative. Të dy e kanë ritheksuar përkrahjen për diskutimet bilaterale. Në takimin dypalësh, presidenti rus ka thënë se koordinimi politik është i domosdoshëm në këtë kohë të vështirë.
Ndërsa në fjalën hyrëse, presidenti kinez, këtë iniciativë e ka krahasuar me Rrugën e dikurshme të Mëndafshit, derisa këtë Forum e ka pozicionuar si alternativë ndaj sistemit ekonomik të prirë nga Perëndimi.
Kina dhe partnerët e saj në këtë Forum, janë kundër konfrontimit ideologjik, rivalitetit gjeopolitik dhe politikës bllokuese, ka thënë Xi, ndërsa ka theksuar se nga 2024 deri më 2028, tregtia e përgjithshme e Kinës në mallra dhe shërbime pritet ta tejkalojë shumën prej 32 bilionësh, respektivisht 5 bilionë.
Për të marrë pjesë në këtë forum, në Pekin ka udhëtuar edhe Sekretari I Përgjithshëm i OKB-s, Anotnio Guteresh, i cili është pritur nga ministri kinez i punëve të jashtme, Wang Yi.
Ministri kinez tha se Kina ka vullnetin për forcimin e komunikimit me OKB-në, që të sigurojë më shumë produkte të konsumit të përgjithshëm me cilësi të lartë për komunitetin ndërkombëtar, të kontribuojë më shumë për paqen dhe zhvillimin global dhe të ndërtojnë së bashku një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin.
Në anën tjetër, sekretari I OKB Guteresh tha se ky Forum luan rol vendimtar për vendet në zhvillim, për t`i përballuar sfidat aktuale, ndërsa theksoi se OKB është e gatshme të bashkëpunojë ngushtë me Kinën.
Më shumë se 145 vende e kanë nënshkruar anëtarësimin në këtë Forum, që në total përbëjnë tre të katërtat e popullsisë së botës dhe gjysmën e pasurisë së përgjithshme.























