Sunak në Izrael, thotë se lufta kundër Hamasit është e drejtë
BKT
Rajoni dhe Bota

Sunak në Izrael, thotë se lufta kundër Hamasit është e drejtë

Bardhyl Bajrami | RTK

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak po viziton Izraelin ku ka takuar presidentin Isaac Herzog dhe kryeministrin Netanyahu.

Kryeministri britanik ka ritheksuar se Britania e Madhe qëndron përkrah Izraelit dhe fuqishëm beson në të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, në përputhshmëri me të drejtën ndërkombëtare. Në deklaratën e lëshuar pas takimit, gjithashtu theksohet se Sunak dhe Herzog janë pajtuar për rëndësinë e dërgimit urgjentisht të ndihmës humanitare për palestinezët e zakonshëm në Gazë. Ndërsa, në konferencën e përbashkët për shtyp të kryeministrit Britanik dhe atij izraelit, Netanyahu ka falënderuar kryeministrin britanik për vizitën duke theksuar se kjo vizitë është një mbështetje e fuqishme dhe të cilën e vlerësojnë lartë. Netanyahu i ka thënë kryeministrit Sunak se britanikët luftuan kundër nazistëve 80 vjet më parë. Pjesëtarët e Hamasit janë nazistët e rinj, tha ai. E kryeministri britanik Rishi Sunak ka thënë se Izraeli ka jetuar përmes një spektri të dhunës dhe terrorizmit çdo ditë që nga ekzistenca e vet. ‘Britania mbështet të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare si dhe për të drejtën për ta luftuar Hamasin. Të gjithë ishim të tronditur nga skenat e shpërthimit në spital dhe nderojmë humbjen e jetës së civilëve të pafajshëm kudo. Por, civilët palestinezë janë viktima të Hamasit’, tha Sunak. Ai ka falënderuar Izraelin për lejimin hyrjes së ndihmave humanitare në Rripin e Gazës. Ndërkohë, ministria e Shëndetësisë në Gazë ka përditësuar të dhënat rreth numrit të viktimave e të plagosurve në Gazë. 3785 palestinezë janë vrarë, nga të cilët 1524 fëmijë, 1000 gra dhe 120 të moshuar. Ndërsa numri i të plagosurve është 12493.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota