E reja kurde që u vra në Iran, fituese e çmimit Sakharov
BKT
Rajoni dhe Bota

E reja kurde që u vra në Iran, fituese e çmimit Sakharov

Bardhyl Bajrami/RTK

E reja 22 vjeçe kurde nga Irani, Xhina (Jina) Mahsa Amini, e cila u vra në Iran vitin e kaluar, është fituese e çmimit Sakharov që e ndan Parlamenti Evropian për Lirinë e Mendimit. Fituese është edhe Lëvizja “Gruaja, Jeta, Liria” e Iranit.

Parlamenti Evropian ka njoftuar për fituesin e sivjetmë të çmimit Sakharov, çmim ky që ndahet nga ky institucion për lirinë e mendimit. Laureatë janë Jina Mahsa Amini dhe “Lëvizja Gruaja, Jeta, Liria” në Iran. Njoftimin e ka bërë presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola pas vendimit nga Konferenca e Presidentëve të Parlamentit, që përbëhet nga kryetarja e parlamentit dhe liderët e grupeve politike.

“Me 16 shtator shënuam njëvjetorin nga vrasja e Jina Mahsa Aminit në Iran. Parlamenti Evropian me krenari qëndron me të guximshmit dhe me sfiduesit që vazhdojnë të luftojnë për barazi, dinjitet dhe liri në Iran. Ne qëndrojmë me ata që madje nga burgu, vazhdojnë ta mbajnë gjallë gruan, jetën dhe lirinë. Duke i zgjedhur laureatë të çmimit Saharov për Lirinë e Mendimit për vitin 2023, kjo shtëpi kujton luftën e tyre dhe vazhdon t’i nderojë të gjithë ata që paguan çmimin më të shtrenjtë për liri”, tha Metsola.

Jina Mahsa Amini ishte një e re kurde nga Irani, e cila ishte arrestuar nga policia në Teheran më 13 shtator të vitit 2022, për gjoja mosrespektimin e ligjeve të ashpra të mbulesës në Iran, ndërsa vdiq tre ditë më vonë në një spital në Teheran.

Çmimi Sakharov është çmim që u ndahet individëve apo grupeve për luftën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirisë së mendimit. Këtë çmim në vitin 1991 e pati fituar edhe veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ndërsa në vitin 1998 e fitoi presidenti Ibrahim Rugova.

Çmimi Saharov, të cilin e ndan Parlamenti Evropian, është krijuar në vitin 1988 dhe është emërtuar sipas emrit të shkencëtarit dhe disidentit rus, Andrei Sakharov.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota