Intensifikohen bombardimet në Gaza, frikë që konflikti të zgjerohet
BKT
Foto: Arvik
Rajoni dhe Bota

Intensifikohen bombardimet në Gaza, frikë që konflikti të zgjerohet

Përgatiti: Dardan Ramabaja/RTK

Izraeli ka intensifikuar bombardimet në Gaza, ndërkohë që SHBA ka paralajmëruar për rrezik `të theksuar` të sulmeve ndaj interesave të saja në Lindjes së Mesme.

Frika se lufta Izrael-Hamas mund të përhapet në një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme u rrit të dielën me paralajmërimin e Uashingtonit për një rrezik të konsiderueshëm për interesat e SHBA-së në rajon, ndërsa Izraeli goditi Gazën dhe përleshjet në kufirin e tij me Libanin u intensifikuan.

Ministria e Shëndetësisë në Gazës tha se 266 palestinezë, duke përfshirë 117 fëmijë, janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në 24 orët e fundit në enklavë, të cilën Izraeli e vendosi nën "rrethim të plotë" pas sulmit masiv në Izrael nga militantët e Hamasit më 7 tetor.

Në Sirinë fqinje - ku mbështetësi kryesor rajonal i Hamasit, Irani ka një prani ushtarake - raketat izraelite goditën aeroportet ndërkombëtare të Damaskut dhe Aleppos herët të dielën, duke i nxjerrë të dy jashtë shërbimit dhe duke vrarë dy punëtorë, njofton media shtetërore siriane.

Përgjatë kufirit verior të Izraelit me Libanin, grupi i Hezbollahut i mbështetur nga Irani është përleshur me forcat izraelite në mbështetje të Hamasit në përshkallëzimin më vdekjeprurës të dhunës në kufi që nga lufta Izrael-Hezbollah në 2006.

Hezbollah tha se katër luftëtarë u vranë në shkëmbime të forta zjarri të dielën dhe një tjetër vdiq nga plagët e marra më parë, duke e rritur në 24 numrin e anëtarëve të saj të vrarë që nga 7 tetori.

Burimet libaneze të sigurisë thanë se 11 luftëtarë me grupet militante palestineze në Liban ishin vrarë gjithashtu në rajonin e paqëndrueshëm kufitar, së bashku me katër civilë. Të paktën pesë ushtarë izraelitë dhe një civil janë vrarë në anën izraelite të kufirit, sipas raporteve të ushtrisë izraelite.

Ka shenja se më shumë ndihma mund të arrijë sot në Gaza pasi 17 kamionë ndihma janë parë të rreshtuar në anën egjiptiane të kufirit.

Kanë kaluar dy javë që kur Hamasi nisi sulmin e tij ndaj Izraelit, duke vrarë më shumë se 1400 njerëz, ndërsa zyrtarët në Gaza thonë se më shumë se 4600 palestinezë janë vrarë që atëherë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota