80 të vdekur e qindra të plagosur si pasojë e sulmeve ajrore të Izraelit
Brdhyl Bajrami / RTK
Qeveria e udhëhequr nga Hamasi në Rripin e Gazës ka thënë se të paktën 80 persona kanë vdekur e qindra janë lënduar si pasojë e sulmeve ajrore të Izraelit gjatë natës.
Ndërkohë që spitalet në Gazë kanë ndërprerë të gjitha shërbimet, përveç atyre emergjente për shkak të rezervave të fundit të karburanteve. Edhe Agjencitë e Organizatës së Kombeve të
Bashkuara që veprojnë në Gazë kanë thënë se sonte do t’i ndërpresin operacionet për shkak të mbarimit të rezervave të fundit të karburanteve.
Izraeli ka ndërprerë furnizimet e reja me karburant për Gazën ndërkohë ka thënë që militantët e Hamasit po i grumbullojnë rezervat e fundit që gjinden aty.
Sa i përket ndihmave humanitare, 8 kamion kanë kaluar nga Egjipti në Gazë natën që lamë pas ndërsa agjencitë e ndihmave kanë thënë se së paku nevojat janë për 100 kamionë në ditë.
Sa i përket viktimave në përgjithësi, të martën, ministria e shëndetësisë në Gazë ka thënë se janë të paktën 5800 të vrarë që nga 7 tetori ndërsa janë më shumë se 1400 viktima në anën e Izraelit e më shumë se 200 persona janë marrë peng.
E në Seancën e Këshillit të Sigurimit, Sekretari i përgjithshëm Antonio Guterres ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm për t’u dhënë fund vuajtjeve në Gazë dhe ka thënë se asnjë palë në një konflikt të armatosur nuk është mbi ligjin ndërkombëtar humanitar.
Armëpushim ka kërkuar edhe Sameh Shoukry, ministri i jashtëm i Egjiptit duke shprehur keqardhje për dështimin e Këshillit të Sigurimit për miratimin e një rezolute që bën thirrje për armëpushim.























