Guterres: Jam i tronditur nga keqinterpretimet e disa deklaratave të mia
BKT
Rajoni dhe Bota

Guterres: Jam i tronditur nga keqinterpretimet e disa deklaratave të mia

Dardan Ramabaja / RTK

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, hodhi poshtë të mërkurën akuzat e Izraelit se, në një deklaratë për Këshillin e Sigurimit, ai kishte justifikuar sulmet e grupit militant palestinez Hamas kundër Izraelit.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres thotë se është "i tronditur" nga reagimi ndaj një deklarate që ai bëri të martën në lidhje me luftën midis Izraelit dhe Hamasit.

"Jam i tronditur nga keqinterpretimet e disa deklaratave të mia... sikur po justifikoja aktet e terrorit nga Hamasi. Kjo është e rreme. Ishte e kundërta," u tha ai gazetarëve, pa përmendur specifikisht Izraelin.

Guterres të martën u lut që civilët të mbrohen në luftën mes Izraelit dhe Hamasit, duke shprehur shqetësimin për "shkeljet e qarta të ligjit ndërkombëtar humanitar" në Rripin e Gazës.

Ai i tha Këshillit të Sigurimit prej 15 anëtarëve të OKB-së se ishte jetike të ishte e qartë se lufta ka rregulla, duke filluar me parimin themelor të respektimit dhe mbrojtjes së civilëve.

"Është e rëndësishme të pranohet gjithashtu se sulmet nga Hamasi nuk ndodhën në vakum. Populli palestinez i është nënshtruar pushtimit ngulfatës për 56 vjet," ka deklaruar Guterres.

Por sipas tij ankesat e popullit palestinez nuk mund të justifikojnë sulmet e tmerrshme të Hamasit.

Dhe ato sulme të tmerrshme nuk mund të justifikojnë ndëshkimin kolektiv të popullit palestinez," ka thënë Guterres.

Ambasadori i Izraelit në OKB, Gilad Erdan e përshkroi fjalimin e Guterres si "tronditës" dhe i bëri  thirrje Guterres të jepte menjëherë dorëheqjen, ndërsa ministri i Jashtëm i Izraelit, Eli Cohen, tha se nuk do të takohej me Guterres të martën siç ishte planifikuar.

Në vend të kësaj, Guterres u takua me përfaqësuesit e familjeve të pengjeve të mbajtura në Gaza.

Guterres vuri në dukje të mërkurën se në deklaratën e tij në Këshillin e Sigurimit ai "dënoi pa mëdyshje" sulmet e Hamasit të 7 tetorit që vranë 1,400 njerëz, duke thënë: "Asgjë nuk mund të justifikojë vrasjen, plagosjen dhe rrëmbimin e qëllimshëm të civilëve - ose lëshimin e raketave kundër objektivave civile”.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota