Mediet ruse: Ushtarët rusë që refuzuan urdhrat u torturuan
Përgatiti: M.Miftari/RTKlive
Sipas medieve ruse, forcat e armatosura ruse kanë të paktën 16 qendra ndalimi, ku janë marrë ose mbajtur ushtarë që refuzuan urdhrat. Ushtarët janë torturuar për t`i bërë ata të kthehen në front.
Sipas medies ruse “Astra INDEPENDENT”, ushtarët rusë, që refuzuan të luftonin, janë dërguar në qendra të paraburgimit të paligjshëm.
Përveç kësaj, ushtarët po detyrohen të hyjnë në trupa sulmuese, të cilat do të përdoren në betejat e qytetit Avdijivka, njoftojnë mediet e huaja, transmeton RTKLive.
“Astra” ka marrë kontakte nga të afërm të ushtarëve të cilët kanë treguar për fatet e tmerrshme të njerëzve të tyre të dashur. “Astra” është një kanal rus i opozitës, i themeluar nga gazetarja Anastasija Chumakova dhe për të cilin raportojnë disa gazetarë të pavarur.
“Djali im më tha se po formohen në një forcë sulmi. Burrat janë të pisët, pa veshje, të dëshpëruar në vullnetin e tyre për të luftuar. Nuk dinë çfarë të bëjnë”, tha babai i njërit prej ushtarëve për Astra.
Sipas informacioneve të “Astra-s”, disa prej ushtarëve janë mashtruar ose janë transferuar me forcë në të ashtuquajturat batalione ndëshkimi. Këto forca, të njohura si Stuhia Z, përbëhen kryesisht nga persona të rekrutuar nga burgjet, të cilëve u është premtuar amnisti pas përfundimit të shërbimit.
Sipas një hetimi nga agjencia e lajmeve Reuters, batalionet e ndëshkimit përdoren në sulmet me valë njerëzore. Ushtarët e trupave shihen si inferiorë në krahasim me ushtarët e tjerë dhe humbjet e tyre janë të shumëfishta.























