Vrasësi amerikan i 18 personave ende në arrati
BKT
Rajoni dhe Bota

Vrasësi amerikan i 18 personave ende në arrati

Bardhyl Bajrami/RTK

18 persona janë vrarë e 13 janë plagosur nga një sulm i armatosur në një qytezë në shtetin Mejn në SHBA. I dyshuari është ende në arrati. Ndaj ngjarjes së sotme ka reaguar edhe presidenti amerikan Joe Biden.

Zyrtarët shtetërorë amerikanë kanë konfirmuar se sulmuesi i dyshuar për sulmin e sotëm në shtetin Maine në SHBA ndodhet ende në arrati.

Guvernatorja e këtij shteti, Janet Mills, ka thënë se numri i të vrarëve nga sulmi i sotëm në Lewiston është 18, ndërsa i të plagosurve 13. Guvernatorja Mills gjithashtu ka bërë të ditur se ka biseduar me presidentin Biden dhe e ka përkrahjen nga Shtëpia e Bardhë. Mills ka thënë se presidenti Biden dhe ajo kanë urdhëruar që flamujt të ulen në gjysmështizë për pesë ditët e ardhshme në shenjë respekti për viktimat.

Presidenti Biden përmes një deklarate, sulmin e së enjtes e ka quajtur edhe një tjetër sulm të pakuptimtë dhe tragjik, ndërsa ka kërkuar nga ligjvënësit republikanë që ta përmbushin detyrën e tyre për ta mbrojtur popullin amerikan  dhe të punojnë bashkë me demokratët për ligjin mbi armët.

Byroja Federale e Hetimeve - ajo që njihet si FBI, ka thënë se kjo agjenci do të punojë ditë e natë për të gjetur përgjigjet për sulmin e sotëm.

Policia, më herët gjatë ditës e ka identifikuar sulmuesin si Robert Card , 40 vjeç duke thënë se ai është i armatosur dhe i rrezikshëm.

Qytetarëve të qytetit apo qytezës ku ka ndodhur ngjarja u është thënë që të qëndrojnë brenda shtëpive ndërsa bizneset janë urdhëruar të mbyllen.

Koloneli i policisë, William Ross, në një konferencë për shtyp, ka treguar se 8 nga viktimat janë identifikuar ndërsa 10 ende jo. Ai gjithashtu ka treguar se autoritetet kanë gjetur veturën e të dyshuarit.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota