Thellohet kriza humanitare në Gazë
Flutura Bekqeli / RTK
Presioni po rritet mbi komunitetin ndërkombëtar për të bindur Izraelin që të lejojë ndihmën e nevojshme dëshperimisht në Gaza, ku kriza humanitare po thellohet ndërsa forcat izraelite po kryejnë sulme ajrore të përditshme.
OKB-ja dhe disa vende në rajon kanë bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, ndërsa të tjerët, përfshirë BE-në, kanë bërë thirrje për një "pause humanitare" të luftimeve.
Agjencia kryesore e OKB-së që ndihmon palestinezët tha se operacionet e saj po "paralizohen" në enklavën bregdetare për shkak të mungesës së karburantit, pasi Izraeli ruan bllokadën e tij dhe këmbëngul se furnizimet ekzistojnë, por kontrollohen nga Hamasi.
Ndërkohë, familjet e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gaza paralajmëruan qeverinë izraelite se "durimi i tyre ka mbaruar" dhe u kërkuan autoriteteve të veprojnë menjëherë.
Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se 7000 njerëz janë vrarë që nga fillimi I sulmeve ajrore izraelite në Gaza, derisa forcat e Mbrojtjes izraelite thanë se Shadi Barud, nënkryetari i krahut të inteligjencës së Hamasit, u vra në një operacion të ushtrisë së Izraelit.
Në terren në Gaza, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë ka thënë se se rreth 629,000 refugjatë tani janë strehuar në 150 në kampe të OKB-së në gjithë Rripin e Gazës.
Kjo do të thotë se këto strehimore kanë arritur gati trefishin e kapacitetit të tyre të synuar.
E Bashkimi Evropian do të sigurojë 50 milionë euro ndihmë humanitare shtesë për Gazën, tha të enjten presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Gjatë takimit të tyre të enjten, liderët evropianë shprehën shqetësimin për përkeqësimin e situates në Gaza dhe kërkuan që ndihma të arrijë tek ata në nevojë përmes "korridoreve humanitare dhe pauzave për nevoja humanitare" - duke mos kërkuar një armëpushim.























