Kovaçevski: Para zgjedhjeve parlamentare e presidenciale, Qeveri Teknike
Besnik Iseni /RTK Shkup
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ,Dimitar Kovaçevski, deklaroi sot se 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe atyre presidenciale në këtë vend,do të formohet Qeveri Teknike.
“Duhet të kemi parasysh që gjatë muajve të pranverës kemi edhe festa fetare që bashkëqytetarët tanë i respektojnë, duke i marrë parasysh të gjitha këta supozime, do të vendoset edhe data, marrë parasysh që në ligjin tonë ekziston obligim për Qeveri teknike, ajo do të jetë 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, ashtu siç ka qenë deri më tani”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Zendeli thotë se zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare, do të jenë jokorrekte, jodemokratike, të manipuluara dhe anti-kushtetuese.
Partitë shqiptare në opozitë kërkojnë që para mbajtjes së zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut,ato të përfaqësohen me një anëtar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.
Në të kundërtën ,sipas tyre,zgjedhjet do të konsiderohen jo korrekte dhe jo demokratike.
"Si opozitë Shqiptare disa ditë më parë ua bëmë me dije përfaqësuesve të pushtetit dhe i informuam edhe qytetarët, për të gjitha informacionet që i kemi lidhur me tentimet e pushtetit për të manipuluar zgjedhjet”, tha Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.
Në orët e pasdites, në Shkup ,mbajti mbledhjen edhe Këshilli i Sigurisë së Maqedonisë së Veriut.
Përmes një kumtese të lëshuar pas takimit, thuhet se përfaqësuesit e institucioneve të shtetit kanë diskutuar për situatën e sigurisë në vend,gjendjen në veri të Kosovës,për agresionin rus ndaj Ukrainës, si dhe për zhvillimet në Lindjen e Mesme.























