S’ka amnisti për të burgosurit|Video
Besnik Iseni/ RTK
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me shumicë votash refuzoi të miratojë ligjin për amnisti, të propozuar nga Qeveria.
I zhgënjyer nga vendimi i Kuvendit, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, tha se kjo ka ndodhur sepse ky ligj nuk përfshin "peshq" të mëdhenj të këtij pushteti ose të atij të kaluar.
"Mua më vjen keq që partitë politike nuk janë në nivelin e detyrës në të cilën ata duhet të thirren. Kur bëhet fjalë për peshq të mëdhenj, për kriminel të dëshmuar, ato brenda natës mund të ndryshojnë ligje. Kur bëhet fjalë për persona që nuk kanë fuqi politike apo edhe financiare për ato nuk votohet në Kuvend", tha Krenar Lloga, ministër i Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut.
Ministri Lloga tha se shteti në Maqedoni ka dy fytyra. “Mua më vjen mirë që sot shteti në Maqedoni ka dy fytyra. Një fytyrë të cilën e tregoi para ca javëve kur brenda natës mund të amnistohen kriminelë të lartë dhe një fytyrë sot", tha Lloga.
Nga ana tjetër, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se drafti i propozim-Ligjit për amnisti nuk ofronte zgjidhje, pasi nuk do të shpopullonte burgjet.
“Edhe kur u propozua Ligji për Amnisti, e dini që ka pasur qëndrime të ndryshme lidhur me efektet e këtij ligji. Qëllimi i ligjit kishte të bëj me lehtësimin e kapaciteteve të burgjeve, për shkak të mbingarkimit të tyre”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Me propozim-ligjin për amnisti parashihej të liroheshin nga burgu 286 persona dhe mbi 960 të tjerë do të përfitonin liri të pjesshme.























