Nasrallah: Lëvizja islamike Hezbollah po lufton kundër Izraelit
atsh
Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah tha sot se lëvizja islamike tashmë po lufton efektivisht kundër Izraelit dhe se të gjitha opsionet ishin në tavolinën e bisedimeve, në përgjigjen e saj ndaj luftës së Izraelit kundër Hamasit në Gaza.
“Ne i jemi bashkuar tashmë betejës”, tha Nasrallah në fjalimin e tij të parë zyrtar që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit.
Para fjalimit kishte pasur spekulime të përhapura se Nasrallah, i cili zotëron fuqi të konsiderueshme nga baza e Hezbollahut në Liban, do t’i shpallte zyrtarisht luftë Izraelit, por ai nuk bëri një deklaratë të tillë.
Shmangia e një zgjerimi të tillë të konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit ka qenë një qëllim kyç i diplomacisë ndërkombëtare në javët e fundit.
Nasrallah këmbënguli se sulmet ndaj komuniteteve izraelite pranë Gazës ishin 100% palestineze.
Terroristët e grupit militant palestinez, Hamas sulmuan komunitetet izraelite më 7 tetor duke vrarë mbi 1 400 persona, shumica civilë.
Izraeli më pas nisi një bombardim të rëndë ajror në Rripin e Gazës, me qëllim shkatërrimin e grupit Hamas.
Autoritetet e Hamasit në Gaza thonë se mbi 9 200 banorë janë vrarë nga bombardimet.
“Fronti i Libanit nënkuptonte se një e treta e ushtrisë izraelite u zhvendos në kufirin me Libanin dhe jo rreth Gazës”, tha udhëheqësi i Hezbollahut.
“Të gjitha mundësitë në frontin tonë libanez janë të hapura dhe të gjitha opsionet janë në në tavolinën e bisedimeve dhe ne mund të shkojmë tek ata në çdo kohë”, kërcënoi ai.























