Blinken po zhvillon një turne diplomatike në rajon, kërkon pauzë në luftime
Dardan Ramabaja / RTK
Ushtria Izraelite ka vazhduar ofensivën e saj në Gaza ndërsa sekretari amerikan i shtetit po zhvillon një turne diplomatike në rajon
Ushtria izraelite thotë se trupat kanë arritur në vijën bregdetare në jug të qytetit të Gazës, duke e ndarë në mënyrë efektive Rripin në dysh.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite ka thënë se do ta çmontojnë Hamasin në Gaza, bastion pas bastioni, dhe batalion pas batalioni.
Komunikimet si telefonia dhe interneti gjithashtu raportohet të jenë të ndërprera në Gaza - gjë që sipas ushtrisë është "e rëndësishme për izraelitët nga pikëpamja ushtarake, sepse zvogëlon aftësinë e Hamasit për të raportuar vendndodhjet e luftëtarëve të tyre.
Ndërkohë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ndodhet në Turqi ku ka takuar ministrin e jashtëm të Turqisë Hakan Fidan, në kuadër të turneut të tij diplomatik në rajon - dhe po kërkon një pauzë në luftime.
Agjencitë e OKB-së dhe organizatat tjera humanitare kanë bërë thirrje për një armëpushim në një deklaratë të rrallë të përbashkët të lëshuar gjatë natës.
Izraeli filloi bombardimin e Gazës pasi Hamasi vrau më shumë se 1400 njerëz në Izrael dhe rrëmbeu më shumë se 200 të tjerë.
Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza thotë se më shumë se 9,700 njerëz janë vrarë në Rrip që nga 7 tetori.























