Forcat izraelite në mes të Gazës, luftime të ashpra me militantët
Luan Qorraj/RTKlive
Fërderisa operacionet izraelite në Rripin e Gazës po vazhdojnë me të njëjtin intensitetit, përçarjet mes udhëheqësve palestinez kanë kaluar në dhunë të hapur. Autokolona e presidentit Mahmoud Abbas është sulmuar nga anëtarët e një organizate militante palestineze.
Forcat Izraelite kanë vazhduar me operacione në Rripin e Gazës, përderisa aviacioni ka goditur qindra caqe të reja tokësore. Sipas Tel Avivit, forcat izraelite kanë arritur në qendrën e qytetit Gaza, ku momentalisht po zhvillojnë luftime të ashpra me militantët. Gjithashtu është njoftuar se forcat Izraelite, në mënyrë efektive kanë ndarë tërë territorin e Gazës në dysh, duke i përqendruar shumicën e operacioneve tokësore në pjesën veriore të Rripit.
Njëkohësisht përçarjet mes udhëheqësve palestinezë kanë kaluar në dhunë të hapur. Gjatë orëve të pasdites, persona të paidentifikuar sulmuan autokolonën e kreut të autoritetet palestinez në Bregun Perëndimor Mahmoud Abbas, duke plagosur njërin prej truprojave të tij.
Organizata e quajtur Djemtë e Abu Jandal-it, degë militante e Hamas-it, e cila dje i dha Abbas-it ultimatum 24 orësh që të ndërmerr veprime kundër Izraelit, ka marrë përgjegjësinë për sulmin e sotëm duke thënë se Abbas dhe autoriteti palestinez në Bregun Perëndimor, po punojnë për interesat e Izraelit.
Ndërkohë, edhe OBSH dënoi ashpër dhunën në Rripin e Gazës dhe vuajtjet e civilëve palestinezë, e zëdhënësi i OBSH-s, Christian Lindmeier duke folur në Gjenevë, tha se deri me tani në Gaza janë goditur më shumë se 100 objekte shëndetësore dhe se "niveli i vdekjeve dhe vuajtjeve në Rripin e Gazës është i vështirë të kuptohet". Ai shtoi edhe se "në Gaza, për çdo ditë, vriten mesatarisht nga 160 fëmijë dhe asgjë nuk e arsyeton tmerrin të cilin e durojnë civilët në Gaza".
Por, Tel Avivi zyrtar nuk po tregon shenja të gatishmërisë të pezullon, apo së paku ngadalëson operacionet. Zyrtarët Izraelit kanë thënë se janë nën presion të madh të bashkësisë ndërkombëtare e cila kërkon ndalimin e operacioneve, por Tel Avivi nuk planifikon të ndalon ofensivën përderisa nuk "neutralizohet" kërcënimi të cilin e paraqet Hamasi.























