Grupi G7 bën thirrje për pauzë humanitare në Gaza,por nuk kërkon armëpushim
BKT
Rajoni dhe Bota

Grupi G7 bën thirrje për pauzë humanitare në Gaza,por nuk kërkon armëpushim

Flutura Bekqeli / RTK

Trupat izraelite tani po veprojnë brenda qytetit të Gazës, sipas kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili gjithashtu tha se ata kanë vrarë mijëra terroristë, nga lart dhe nën tokë.

Grupi G7 përfshirë Britaninë e Madhe dhe SHBA, sapo ka lëshuar një deklaratë, duke thënë se mbështet pauzat dhe korridoret humanitare në Gaza. Deklarata e ministrave të jashtëm - të cilët janë takuar në Tokio - njeh gjithashtu të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten "në përputhje me ligjin ndërkombëtar". Sidoqoftë, deklarata nuk bën thirrje për një armëpushim.

Pauzat humanitare, janë më të shkurtra se armëpushimet, të cilat në përgjithësi janë më të gjata dhe pjesë e një procesi politik.

Në anën tjetër, dhjetëra civilë janë evakuuar në pjesën jugore të enklavës gjatë një dritareje katër-orëshe të caktuar nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit. Izraeli është nën presion ndërkombëtar në rritje për të marrë në konsideratë një pauzë humanitare në Gaza, por ushtria izraelite këmbëngul se nuk do të ketë armëpushim dhe është e përgatitur të godasë grupin militant "kudo që është e nevojshme", duke përfshirë infrastrukturën civile nëse Hamasi po e përdor atë.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se nuk beson se forcat izraelite duhet të ripushtojnë Gazën pasi kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli do të ketë "përgjegjësinë e përgjithshme të sigurisë" për rripin për një "periudhë të pacaktuar".

 Një ndihmës i lartë i Netanyahut tha se plani I pasluftës i Izraelit nuk është një "pushtim i vazhdueshëm".

Ndërsa viktimat civile rriten, Izraeli po përballet me presion të shtuar ndërkombëtar mbi fushatën e tij ushtarake kundër Hamasit në Gaza. "Asgjë nuk e justifikon tmerrin që po durojnë civilët," tha një zëdhënës i OBSH-së.

Më shumë se 10,000 njerëz janë vrarë në Gaza që kur Izraeli filloi ofensivën e tij pas sulmit të Hamasit një muaj më parë, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë në Ramallah, duke u bazuar nga burime në enklavën e kontrolluar nga Hamasi. Më shumë se 70% e njerëzve të vrarë në Gaza që nga 7 tetori ishin fëmijë, gra dhe të moshuar, tha në një raport të martën Ministria palestineze e Shëndetësisë në Ramallah.

 Zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder, mbrojti saktësinë e numrit të viktimave të raportuara nga Gaza.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota