Macron i bën thirrje Izraelit të ndalojë vrasjen e grave dhe foshnjave
RTKlive
Izraeli duhet të ndalojë vrasjen e foshnjave dhe grave në Gaza, tha presidenti francez Emmanuel Macron për BBC.
Në një intervistë ekskluzive për BBC-në, ai tha se nuk ka "asnjë justifikim" për bombardimet, duke thënë se nga armëpushimi do të përfitonte Izraeli.
“Ndërsa njohim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten, ne i bëjmë thirrje që të ndalojë bombardimet në Gaza”, tha Macron.
Por ai gjithashtu theksoi se Franca "dënon qartë veprimet terroriste të Hamasit”.
Franca, ashtu sikurse Izraeli, SHBA, Britania e Madhe dhe vende të tjera perëndimore e konsiderojnë Hamasin një organizatë terroriste.
Kur u pyet nëse donte që liderë të tjerë - përfshirë në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar - t'i bashkoheshin thirrjeve të tij për një armëpushim, ai u përgjigj: "Shpresoj se do ta bëjnë"
Izraeli thotë se po sulmon objektiva ushtarakë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe po ndërmerr hapa për të reduktuar viktimat civile, si lëshimi i paralajmërimeve përpara sulmeve dhe thirrja e njerëzve që të evakuohen.
"De facto - sot, civilët po bombardohen - de facto. Këto foshnja, këto zonja, këta të moshuar janë bombarduar dhe vrarë. Pra, nuk ka asnjë arsye për këtë dhe nuk ka legjitimitet. Kështu që ne i bëjmë thirrje Izraelit të ndalojë", ka shtuar Macron.























