Spitali kryesor i Gazës është jashtë funksionit, sipas stafit mjekësor
Dardan Ramabaja / RTK
Spitali më i madh në Gaza ka pushuar së funksionuari dhe vdekjet e pacientëve po rriten, ka thënë të dielën kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndërsa një sulm i ashpër izraelit vazhdon në brezin e kontrolluar nga Hamasi.
Spitalet në veri të enklavës palestineze, duke përfshirë kompleksin kryesor Al-Shifa, janë të bllokuara nga forcat izraelite dhe mezi janë në gjendje të kujdesen për ata brenda, me tre të porsalindur të vdekur dhe më shumë në rrezik nga ndërprerjet e energjisë elektrike pas luftimeve intensive aty pranë, njofton stafi mjekësor.
Ndërsa Izraeli thotë se spitali po strehon militantët palestinezë të Hamasit, ku ka qendra komandimi nën dhe pranë kompleksit.
OBSH arriti të fliste me profesionistët e shëndetësisë në Al-Shifa, të cilët përshkruan një situatë "të tmerrshme dhe të rrezikshme" me të shtëna me armë zjarri dhe bombardime të vazhdueshme duke përkeqësuar situatën tashmë kritike, ka deklaruar Drejtori i Përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Por Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se militantët e Hamasit kishin penguar Spitalin Shifa të Gazës, i cili ndaloi operacionet pasi mbaroi karburanti, të merrte naftë nga Izraeli të shtunën.
Ushtria tha se koordinoi transferimin e naftës për përdorim urgjent mjekësor në spitalin Shifa, duke shtuar se ushtarët izraelitë kishin vendosur 300 litra naftë pranë spitalit.
Ata thanë gjithashtu të dielën se ishte e përgatitur për të evakuuar foshnjat nga spitali Shifa, ndërsa përpiqet të çlirojë më shumë se 200 pengjet e marra nga militantët e Hamasit.
Bashkimi Evropian dënoi Hamasin për përdorimin e "spitaleve dhe civilëve si mburoja njerëzore" në Gaza, ndërsa i kërkoi gjithashtu Izraelit të tregojë "përmbajtje maksimale" për të mbrojtur civilët.
Edhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha se Hamasi po përdorte spitale dhe objekte të tjera civile për të strehuar luftëtarë dhe armë, gjë që ai tha se ishte një shkelje e ligjeve të luftës.
Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se më shumë se 11,000 njerëz janë vrarë në Gaza që nga fillimi, në mesin e tyre rreth 4,500 ishin fëmijë.























