Luftime brenda spitaleve në Gaza
BKT
Rajoni dhe Bota

Luftime brenda spitaleve në Gaza

Luan Qorraj|RTK

Luftimet mes forcave Izraelite dhe militantëve të Hamasit kanë përfshirë edhe dy spitalet më të mëdha në Rripin e Gazës, brenda të cilave ende gjendet një numër i madh i pacientëve dhe civilëve. Ndërkohë UNRWA ka thënë se, për shkak të mungesës së naftës, të gjitha operacionet humanitare të OKB-së në Gaza do të ndërpriten.

Raporte të ndryshme nga Rripi i Gazës thonë se luftimet mes forcave izraelite dhe militantëve të Hamasit kanë përfshirë edhe dy spitalet më të mëdha të territorit, Spitalin Al Shaifa dhe Al-Kuds.

Sipas njoftimeve, përleshje të ashpra po zhvillohen në të gjitha rrugët për rreth spitalit Al-Shaifa, përderisa ka njoftime të pakonfirmuara për përleshje brenda disa reparteve të spitalit Al Kuds.

Edhe pse, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në Rripin e Gazës këto dy objekte më nuk mund të funksionojnë si spitale, është bërë e ditur se brenda tyre ende gjendet një numër i madh i pacientëve, civilëve dhe stafit mjekësor të cilët nuk arritën apo nuk dëshiruan të largoheshin.

Sipas Izraelit, Hamasi përfundi këtyre spitaleve, ka ndërtuar depo të armatimit dhe qendra komanduese, gjë që Hamasi e mohon.

Ndërkohë, krerët e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA kanë thënë se brenda 48 orëve do të mbetet pa naftë dhe se për shkak të kësaj, të gjitha operacionet humanitare të OKB-s në Rripin e Gazës do të ndalojnë.

Sipas tyre, më shumë se 800 mijë palestinezë, apo rreth gjysmës së të gjithë të zhvendosurve për shkak të dhunës, do të mbesin pa ushqim, ilaçe si dhe ujë të pijshëm, pasi që një pjesë e madhe e tyre varen nga cisternat e ujit të cilat nuk do të mund të qarkullojnë pa naftë.

Sipas zyrtarëve të Gazas, që nga fillimi i operacioneve Izraelite në tërë territorin janë vrarë rreth 11 500 civilë palestinezë, gati gjysma prej të cilëve fëmijë. Gjithashtu është raportuar se më shumë se 3 200 civilë të tjerë janë të pagjetur dhe besohet se gjenden nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota