Biden kërkon nga Izraeli që spitali "Al-Shifa" të mbrohet
Dardan Ramabaja / RTK
Presidenti amerikan, Joe Biden, thotë se spitali Al-Shifa duhet të mbrohet, ndërsa luftimet vazhdojnë pranë kompleksit kryesor spitalor në qytetin e Gazës.
Presidenti Biden i ka kërkuar Izraelit që ta mbrojë spitalin Al-Shifa të Gazës. Duke folur nga Zyra Ovale të hënën, ai tha se SHBA-ja është në kontakt me izraelitët dhe shpreson dhe pret më pak veprime ndërhyrëse në lidhje me spitalin.
Izraeli ka akuzuar Hamasin se ka një qendër komandimi dhe kontrolli në spital - gjë që spitali dhe Hamasi e mohojnë.
Spitali, më i madhi i Gazës, është "pothuajse një varrezë", ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë, me trupa të grumbulluar brenda dhe jashtë.
Dhjetëra foshnja të lindura para kohe dhe 45 pacientë me veshka që kanë nevojë për dializë, nuk mund të trajtohen siç duhet për shkak të mungesës së energjisë, thotë një zëdhënës i OKB-së.
Por ushtria izraelite thotë se është në proces të "koordinimit të transferimit të inkubatorëve nga një spital i Izraelit në Gazë
Ushtria izraelite shpërndau video dhe fotografi që tregonin ato që tha se ishin armë të ruajtura nga Hamasi në bodrumin e një spitali për fëmijë në Gazë dhe se gjithashtu pengjet duket se ishin mbajtur aty.
Zëdhënësi ushtarak, kundëradmirali Daniel Hagari tha se trupat kishin gjetur një qendër komandimi me armatim, duke përfshirë granata, jelekë vetëvrasës dhe eksplozivë të tjerë të ruajtur nga luftëtarët e Hamasit në bodrumin e spitalit Rantissi.
Ndërkohë, edhe kryeministri britanik Rishi Sunak i ka kërkuar Izraelit që të bëjë gjithçka që është e mundur për t`i mbrojtur civilët në Gazë, ndërsa bëri thirrje për një pauzë urgjente humanitare.
Izraeli filloi sulmet në Gazë pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor, nga të cilat u vranë 1200 persona dhe më shumë se 200 të tjerë u morën peng.























