Ahmeti – Wahl: Vazhdimi i rrugës evropiane garanci e sigurisë
BKT
Rajoni dhe Bota

Ahmeti – Wahl: Vazhdimi i rrugës evropiane garanci e sigurisë

F.S / RTKlive

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka takuar Shefin e Misionit të OSBE-së në Maqedoninë e Veriut Kilian Wahl, me të cilin ka diskutuar për momentumin politik në të cilin ndodhet vendi dhe mbarë rajoni i Ballkanit Perëndimor për të përshpejtuar hapin e euro-integrimit.

Ahmeti në këtë takim ka thënë se rëndësia e ndërmarrjes së vendimeve të duhura pro-evropiane do të përforcojnë edhe themelet e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

Kreu i BDI-së Ahmeti ka njoftuar ambasadorin Wahl mbi përcaktimet e palëkundshme të subjektit që ai drejton, siç janë: përfundimi i procesit të skriningut, miratimi i ndryshimeve kushtetuese, mbajtja e konferencës së dytë ndërqeveritare me BE-në, hapja e kapitujve dhe kontinuiteti në realizimin e reformave të nevojshme.

Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Prespës, Marrëveshja për fqinjësi të mirë janë korniza tashmë e definuar e hapërimit progresiv të vendit, nga e cila nuk duhet devijuar për asnjë çast të vetëm.

Sa u përket zgjedhjeve, Ahmeti ka potencuar se BDI është e përgatitur për mbarëvajtjen e tyre në çdo kohë dhe se është jashtëzakonisht e rëndësishme që në fokusin e çdo lëvizje politike në vend të jetë përcaktimi strategjik i integrimit në Bashkimin Europian e jo kalkulimet për pikë të ulëta politike me vendosjen e stërkëmbëzave në këtë rrugë që është shtegu ynë i vetëm i përparimit.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota