DASH vë nën sanksione disa persona në Ballkan, të ndërlidhur me Rusinë
Përgatiti: M.Miftari/RTKlive
Në koordinim me Departamentin e Thesarit, Departamenti i Shtetit po vendos sanksione ndaj disa individëve dhe 12 subjekteve në Ballkanin Perëndimor, aktiviteti i të cilëve lidhet me ndikimin keqdashës rus në rajon dhe me korrupsionin.
Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli non-grata politikanin serb Misha Vaciq, kryetar i Partisë së Djathtë Serbe në Serbi, për pjesëmarrje në referendumin e jashtëligjshëm të organizuar nga Rusia në territoret e pushtuara të Ukrainës me 22 shtator.
Vaciq ka deklaruar se, me ftesë të Vladimir Putin, ai ishte një "vëzhgues ndërkombëtar" i referendumeve të rreme të Rusisë në rajonet e pushtuara nga Rusia të Ukrainës në shtator 2022. Ai mbrojti aneksimin e supozuar të këtyre rajoneve nga Rusia;
Nenad Popoviq, i cili shërbeu si ministër në Qeverinë e Serbisë nga viti 2017 deri në vitin 2022 dhe themeloi Partinë Popullore Serbe në vitin 2014.
Popoviq zotëron kompani dhe prona të shumta në Serbi dhe Rusi dhe përdor lidhje të larta në Kremlin për të pasuruar veten, për të siguruar biznes për zotërimet e tij dhe të lehtësojë përvetësimet dhe skemat korruptive të taksave.
Veç personave nën sanksione nga DASH janë vënë edhe disa biznese të cilat janë në lidhje me Putinin, sikundër janë:
DOMINION TVERSKAYA YAROSLAVSKAYA LLC, kompani e pasurive të paluajtshme me bazë në Rusi;
DOMINION NIKOLSKI LLC, kompani e pasurive të paluajtshme me bazë në Rusi;
ASSET AUTOMATION LLC, kompani elektronike me bazë në Rusi;
ASSET ELECTRO LLC, kompani elektronike me bazë në Moskë që prodhon aparate të shpërndarjes dhe kontrollit të energjisë elektrike. Për më tepër, kjo kompani zhvillon projekte për proceset industriale dhe industritë që lidhen me inxhinierinë elektrike, etj.
Departamenti amerikan i Thesarit njëkohësisht ka vendosur sanksione ndaj individëve të tjerë dhe entiteteve në Bosnje, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, që sipas qeverisë amerikane “ndihmojnë drejtpërdrejt ndikimin rus, ose që aktivitetet e tyre korruptuese përfitojnë nga ndikimi rus.”
“Këta individë dhe këto entitete gjithashtu pengojnë reformat qenësore dhe përparimin drejt integrimit evropian”, tha zëdhënësi Miller. “Me këto masa, qeveria amerikane synon të ndryshojë sjelljen e individëve të përfshirë dhe të luftojë korrupsionin në këto vende, krimin e organizuar dhe marrëveshjet e jashtëligjshme e ndikimin që i ndihmojnë shpërndarjes së ndikimit keqdashës rus.”
“Ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor është thellësisht i ndërlidhur me korrupsionin dhe retorikën ekstremiste politike, që përbëjnë kërcënim për sundimin e ligjit, stabilitetit dhe sovranitetit në rajon,” thuhet në vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.























