Finlanda mbyll katër pika kufitare në kufirin lindor me Rusinë
Përgatiti: M.Miftari/RTKlive
Finlanda njofton se katër pika kufitare në kufirin lindor me Rusinë do të jenë të mbyllura për të gjithë qarkullimin natën e premte dhe të shtunë. Kjo për shkak të fluksit të madh të azilkërkuesve.
Qeveria finlandeze vendosi të enjten mbylljen e katër pikave të kalimit kufitar në kufirin lindor, për arsye se, ditëve të fundit, më shumë azilkërkues se zakonisht kanë ardhur në kufirin lindor me Rusinë.
“Finlanda do të mbyllë plotësisht pikat kufitare: Vaalimaa, Nuijamaa, Imatra dhe Niirala deri në shkurt. Ndërkohë që ato janë të mbyllura për të gjithë trafikun natën ndërmjet të premtes dhe të shtunës. Me këtë vendim ato do të qëndrojnë të mbyllura deri më 18 shkurt të vitit 2024”, njoftojnë mediet finlandeze, transmeton RTKLive.
Gjithashtu, pranimi i kërkesave për azil do të jetë i centralizuar në vendkalimet kufitare: Salla dhe Vartius. Në pikat e tjera të kalimit kufitar, që mbeten të hapura, nuk është e mundur të aplikohet për azil.
Lidhur me këtë çështje, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes një statusi në “X” tha se kishte diskutuar me kryeministrin finlandez, Petteri Orpo, vendimet e të cilit ajo tha se mbështet, derisa veprimet e Rusisë i quajti të turpshme, sepse po i përdor emigrantët si mjet.
Kohët e fundit, autoritetet ruse kanë filluar të lejojnë emigrantë pa dokumentet e nevojshme të hyrjes në pikat e kalimit kufitar në Finlandën Juglindore.
























