Ushtria izraelite: Një ofensivë në jug të Gazës mund të jetë e pashmangshme
BKT
Rajoni dhe Bota

Ushtria izraelite: Një ofensivë në jug të Gazës mund të jetë e pashmangshme

Flutura Bekqeli / RTK

Ushtria izraelite ka thënë se trupat e saj do të avancojnë kudo që gjendet Hamasi, mes indikacioneve në rritje se një ofensivë në jug të Gazës mund të jetë e pashmangshme.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, adm. Daniel Hagari, ka thënë se trupat izraelite do të avancojnë kudo ku gjendet Hamasi, duke përfshirë pjesën jugore të Rripit të Gazës. Ditët e fundit, ka pasur indikacione në rritje se një ofensivë tokësore në pjesën jugore të enklavës mund të jetë e pashmangshme.

Udhëheqësit izraelitë kanë deklaruar se pjesa veriore e Gazës, përfshirë qytetin e Gazës, tani është nën kontrollin e Izraelit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka ofruar pak informacion në lidhje me planin e tij të operacionit pas-ushtarak për Gazën.

Ndërkohë, më shumë karburant u lejua në Gaza të premten pasi sistemet e ujit dhe kanalizimit janë në prag të kolapsit, tha këshilltari i sigurisë kombëtare i Izraelit. Mungesa e karburantit ka ndikuar edhe në gjendjen e rëndë në spitale, ku mjekët thanë se pacientët e kujdesit intensiv kanë vdekur dhe operacionet janë ndërprerë për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Shumica e spitaleve dhe klinikave mjekësore të Gazës janë mbyllur për shkak të dëmtimeve nga bombardimet izraelite ose mungesës së karburantit, tha ministria e shëndetësisë e Autoritetit Palestinez, duke cituar burime mjekësore nga enklava e kontrolluar nga Hamasi.

OKB-ja po i bën thirrje Izraelit të lejojë akses për të hetuar pretendimet në lidhje me spitalin Al-Shifa. Izraeli ka thënë vazhdimisht se Hamasi po e përdor objektin për qëllime ushtarake, një pretendim i mohuar nga Hamasi dhe zyrtarët mjekësorë.

Një zyrtar i OKB-së për të drejtat e njeriut i ka bërë thirrje Izraelit të ndalojë përdorimin e ujit si "armë lufte" në Gaza.

Dehidratimi dhe sëmundjet e shkaktuara nga uji po rriten tani në enklavë, tha Pedro Arrojo-Agudo, raportuesi special i OKB-së për të drejtat e njeriut. Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt, afërsisht 70% e njerëzve në Gaza tani po pinë ujë "të kripur dhe të kontaminuar".

Në zhvillime tjera, palët negociuese po përpiqen të arrijnë një marrëveshje për lirimin e pengjeve në Gaza. Kjo vjen pasi të paktën dy pengje u gjetën të vdekur në enklavë gjatë dy ditëve të fundit, tha ushtria izraelite.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota