Vriten 12 persona në një spital në Gaza
Dardan Ramabaja / RTK
Tanket izraelite janë futur në një spital Indonezian në Gazën veriore, ku sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në Gaza, paraprakisht një sulm ajror izraelit aty vrau të paktën 12 persona.
Izraeli nuk ka komentuar rastin, por thotë se po sulmon "terroristët" dhe "infrastrukturën terroriste" në Rripin e Gazës.
Shpërthimi në spital erdhi pasi shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut tha se Gaza kishte përjetuar "48 orë të tmerrshme".
Volker Turk tha se "vrasjet" e njerëzve në strehimoret e OKB-së ishin "plotësisht në kundërshtim me mbrojtjen e civilëve të kërkuar sipas ligjit ndërkombëtar".
Më parë, ushtria izraelite publikoi pamjet të cilat tha se tregonin një "tunel terrorist 55 metra të gjatë, 10 metra të thellë" nën spitalin tjetër, Al-Shifa.
Sipas tyre pamjet "dëshmojnë qartë se ndërtesa të shumta në kompleksin e spitalit përdoren nga Hamasi si mbulesë për aktivitetet terroriste".
Hamasi i ka mohuar në mënyrë të përsëritur këto akuza ashtu si personeli mjekësor që punon në spitalin më të madh të qytetit të Gazës.
Ndërkohë, Katari - i cili po përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje - thotë se mbeten vetëm pengesa "shumë të vogla" për lirimin e pengjeve izraelite.
Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza thotë se 13,000 njerëz janë vrarë në territor që kur Izraeli filloi fushatën e tij kundër Hamasit.
Izraeli filloi të sulmojë Gazën pasi luftëtarët e Hamasit kaluan kufirin më 7 tetor, duke vrarë 1200 izraelitë dhe duke marrë peng më shumë se 200.























