Shefi i Hamasit thotë se janë afër marrëveshjes së armëpushimit me Izraelin
Dardan Ramabaja / RTK
Shefi i Hamasit i ka deklaruar agjencisë së lajmeve Reuters, të martën, se grupi militant palestinez ishte afër një marrëveshjeje armëpushimi me Izraelin, edhe pse sulmi vdekjeprurës në Gaza vazhdonte dhe raketat po hidheshin në Izrael.
Zyrtarët e Hamasit ishin "afër arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi" me Izraelin dhe grupi i ka dhënë përgjigjen e tij ndërmjetësuesve të Katarit, ka thënë Ismail Haniyeh.
Deklarata nuk dha më shumë detaje, por një zyrtar i Hamasit i ka deklaruar Al Jazeera se negociatat ishin të përqendruara në atë se sa do të zgjaste armëpushimi, marrëveshjet për dërgimin e ndihmave në Gaza dhe shkëmbimin e pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi për të burgosurit palestinezë në Izrael.
Të dyja palët do të lirojnë gratë dhe fëmijët dhe detajet do të shpallen nga Katari, i cili është duke ndërmjetësuar në negociata, tha zyrtari, Issat el Reshiq.
Izraeli në përgjithësi ka shmangur dhënien e komenteve mbi statusin e bisedimeve të udhëhequra nga Katari. Televizioni izraelit Channel 12 citoi një burim të paidentifikuar të lartë të qeverisë duke thënë se "ata janë afër", por nuk dha detaje të mëtejshme.
Edhe Presidenti amerikan Joe Biden ka deklaruar më herët se një marrëveshje mund të arrihet së shpejti që do të përfshinte Hamasin për lirimin e pengjeve nga Gaza në këmbim të pauzave në luftime.
Ndërsa Mirjana Spoljaric, presidente e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), u takua me Haniyeh në Katar të hënën për të "përparuar çështjet humanitare" në lidhje me konfliktin, sipas kësaj organizate. Ajo gjithashtu u takua veçmas me autoritetet e Katarit. Hamasi mori rreth 240 pengje gjatë sulmit të tij të 7 tetorit në Izrael ku vrau 1200 njerëz.























