Ka vazhduar raundi i dytë i këmbimit të pengjeve mes Izraelit e Hamasit
BKT
Rajoni dhe Bota

Ka vazhduar raundi i dytë i këmbimit të pengjeve mes Izraelit e Hamasit

Luan Qorraj/RTK

Përderisa armëpushimi në Rripin e Gazës po vazhdon, është njoftuar se raundi i dytë i këmbimit të pengjeve ka përfunduar me lirimin e 39 palestinezëve dhe 17 personave që ishin rrëmbyer nga Hamasi.

Raportet nga Rripi i Gazës thonë se armëpushimi i cili filloi të premten po vazhdon të respektohet nga dyja palët. Edhe pse ka pasur njoftime për këmbime të kufizuara të zjarrit, deri me tani, nuk është raportuar për ndonjë shkelje të madhe të marrëveshjes.

Njëkohësisht, është bërë e ditur edhe se raundi i dytë i këmbimit të të burgosurve, mes Izraelit dhe Hamasit ka kaluar pa probleme. Sipas njoftimeve, në raundin e fundit janë liruar 39 palestinezë që gjendeshin në burgjet izraelite si dhe 17 personave të rrëmbyer nga Hamasi me 7 tetor. Prej tyre, 13 shtetas Izraelitë dhe katër shtetas të huaj.

Me këtë numri i përgjithshëm i palestinezëve të liruar ka arritur në 78 përderisa Hamasi ka liruar 26 izraelitë dhe 14 shtetas tajlandezë të rrëmbyer me 7 Tetor.

Hamasi tani ka dorëzuar listën e palestinezëve të tjerë të cilët pritet të lirohen në këmbim me pengjet tjera të cilat mbahen nga Hamasi në Rripin e Gazës.

Ende mbetët e paqartë se çka do të ndodhë pas skadimit të afatit të armëpushimit. Izraeli ka thënë se nuk planifikon t’i ndalojë operacionet luftarake përderisa ka prezencë të Hamasit në Gaza, ndërsa as udhëheqësit e Hamasit nuk kanë dhënë shenja se janë të gatshëm të ndalojnë armiqësitë.

Diplomatët kanë thënë se janë duke tentuar të gjejnë mënyra për zgjatjen e armëpushimit ekzistues, por momentalisht nuk duket të ketë shumë shpresë për një gjë të tillë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota