Blinken në Shkup konfirmon përkushtimin e SHBA-së ndaj OSBE-së
Besnik Iseni/Shkup/RTK
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antoni Blinken mori pjesë në darkën joformale në Shkup, një ditë para takimit ministror të OSBE-së. Ai gjatë takimit me ministrin e jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani konfirmoi përkushtimin e SHBA-së ndaj OSBE-së dhe misionit të saj për promovimin e sigurisë dhe stabilitetit. Besnik Iseni sjell hollësi.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antoni Blinken ka mbërritur në orët e mbrëmjes në Shkup,ku u prit nga ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut,Bujar Osmani.
Ata kanë biseduar për ngjarjet aktuale ndërkombëtare, me fokus të veçantë në situatën në Ukrainë, ku bashkëbiseduesit dënuan fuqishëm agresionin ushtarak rus dhe shprehën mbështetje për popullin ukrainas.
Blinkeni pas darkës së punës organizuar në margjinat e samitit të OSBE-së, sipas burimeve diplomatike, pritet të largohet nga Maqedonia e Veriut.
Ndërsa në Shkup ka mbërritur edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josef Borrell. Takimi i ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të OSBE-së zyrtarisht fillon nesër dhe në të pritet të merr pjesë edhe ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov.
Të premten është paraparë të miratohen konkluzionet takimit ministror .
Në takimin e OSBE-së do të marrin pjesë 76 delegacione nga 57 shtete anëtare dhe shtete partnere të organizatës. Ndërkohë, Malta është zgjedhur si kryesuese e samitit të radhës të OSBE-së më 2024.























