O’Brien: Rusia t’i japë fund shkeljes së parimeve bazë të OSBE-së|Video
Sh.Ç /RTKlive
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, në samitin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë , që po i zhvillon punimet në Shkup, i ka bërë thirrje Rusisë që t’i japë fund shkeljes së parimeve të OSBE-së.
“Unë shtoj zërin tim, me atë të kolegëve, të cilët i bëjnë thirrje Rusisë, që t’i japë fund shkeljes së parimeve bazë të kësaj organizate, por nuk jam i sigurt nëse ajo është ende e gatshme të na dëgjojë”, ka thënë O’Brien.
Ai ka theksuar se pavarësisht shteteve që janë përpjekur të bllokojnë punën e organizatës, OSBE-ja do të vazhdojë të funksionojë.
“Tani është zgjedhje e shteteve që janë përpjekur të bllokonin punën e kësaj organizate, për të parë gatishmërinë e tyre nëse do të qëndrojnë me komunitetin e civilizuar, bazuar në aktin final të Helsinkit, apo duan të vazhdojnë pengesat e tyre. OSBE-ja do të jetë mirë, prapëseprapë, por, ka rëndësi për ta të zgjedhin, nëse do të vazhdojnë të jenë me ne në këtë përpjekje”, ka deklaruar O’Brien.
Osmani: Duhet ta forcojmë OSBE-në për të ardhmen
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, hapi Këshillin Ministror të OSBE-së dhe në fjalën e tij hapëse u bëri thirrje të pranishmëve që të arrijnë konsensus për kryesimin e Maltës.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani përshëndeti delegacionet e pranishme në qytetin ku kryqëzohen kultura të ndryshme dhe kujtoi tërmetin e vitit 1963 kur bota e ndihmoi Shkupin.
“Kam tre mesazhe kyçe si kryetar. Maqedonia e Veriut mori përsipër OSBE-në në një kohë lufte aktive dhe një kërcënim për sigurinë evropiane dhe paqen ndërkombëtare. Agresioni rus kundër Ukrainës shkeli rregullat e kësaj organizate dhe prishi sigurinë evropiane dhe njerëzore, dialogun dhe shkatërroi jetën e njerëzve që duan të jetojnë të lirë dhe pa frikë nga lufta”, ka deklaruar si.
OSBE-ja, tha ai, mbeti e vendosur kundër të gjitha sfidave dhe vazhdon të punojë dhe organizojë të gjitha aktivitetet dhe të vazhdojë misionin kundër të gjitha sfidave.
“Disa misione vazhdojnë të ndihmojnë në rajone dhe ne jemi angazhuar në mënyrë aktive në të gjitha rajonet, përballë konflikteve të rënda në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Ne duhet të forcojmë OSBE-në për të ardhmen”, theksoi Osmani.
Ai tha se do të vazhdojnë të ofrojnë zgjidhje për këto sfida kritike, duke u shprehur i kënaqur që OSBE ka gjetur kryesues për vitin 2024.
Kovaçevski: Të ndalohet agresioni rus në Ukrainë
Në Shkup nisin punimet e samitit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), me pjesëmarrjen e diplomatëve të 57 vendeve anëtare të organizatës, përfshirë shefin e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, në hapjen e Këshillit të 30-të ministror të OSBE-së, fjalimin e tij e nisi duke përmendur agresionin rus në Ukrainë, duke bërë thirrje për ndërprerje të luftës. Ai ka theksuar se me agresionin rus janë shkelur të gjitha konventat ndërkombëtare dhe vlerat humane.
“Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës është shkelje e çdo konvente ndërkobëtare. Çdo ditë e kaluar tregon se agresioni ushtarak nuk është zgjidhje. Lufta në Ukrainë duhet të ndalojë sa më parë”, ka deklaruar Kovaçevski
Ai ka përmendur edhe tensionet në vendet e rajonit, nduke bërë thirrje që të lihen anash agjendat nacionaliste. Kovaçevski theksoi se ngjarja e sotme në Shkup është kulminacioni i udhëheqjes së RMV-së me OSBE-në.
Maqedonia e Veriut është nikoqire e Këshillit të 30-të Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE, ku marrin pjesë rreth 1000 delegatë nga 57 vende anëtare të Organizatës dhe vende partnere.























